Aktualitet

Rregullorja e re për prodhimin dhe tregtimin: Nga 1 janari 2025 do lejohet përdorimi vetëm për produktet plehëruese të regjistruara

Në mbështetje të ligjit të ri “Për produktet plehëruese” të miratuar në 2020, është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural “Për miratimin e rregullave të hollësishme për prodhimin, tregtimin, ruajtjen, ambalazhimin, etiketimin dhe përdorimin e produkteve plehëruese”.

9 Prill 2024, 21:12 Nga M.B
Rregullorja e re për prodhimin dhe tregtimin: Nga 1 janari 2025 do lejohet
Foto ilustruese

TIRANA- Hyjnë në fuqi rregullat e reja për prodhimin, tregtimin dhe ambalazhimin e produkteve plehëruese. Në mbështetje të ligjit të ri “Për produktet plehëruese” të miratuar në 2020, është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural “Për miratimin e rregullave të hollësishme për prodhimin, tregtimin, ruajtjen, ambalazhimin, etiketimin dhe përdorimin e produkteve plehëruese”.

Vendimi parashikon se tregtimin me shumicë dhe pakicë i produkteve plehëruese e ka çdo person juridik apo fizik që disponon diplomën bachelor ose master të drejtuesit teknik në fushën e agronomisë, ka një kontratë pune me kohë të plotë të drejtuesit teknik dhe dokumentacion që provon përmbushjen e kritereve ligjore për funksionimin e magazinave të tregtimit me shumicë.

Dokumentacioni i nevojshëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesit është ai që provon përmbushjen e kritereve për funksionimin e magazinave të tregtimit me shumicë, pajisja me leje mjedisore dhe dokumentacioni i lëshuar nga inspektorati për shëndetësinë dhe mbrojtja nga zjarri. Për tregtimin me pakicë të produkteve plehëruese kërkohet që si drejtuesi i biznesit, por edhe i punësuari prej tij të ketë diplomën bachelor apo master në agronomi. Edhe të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së ambalazhimit dhe etiketimit të produkteve plehëruese e ka çdo person juridik ose fizik, që paraqet dokumentacionin, si:

a) diplomë bachelor ose master të drejtuesit teknik në fushën e kimisë ose agronomisë;

b) kontratë pune me kohë të plotë të drejtuesit teknik;

c) dokumenti i lëshuar nga inspektorati përgjegjës për shëndetësinë, sipas rasteve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për shëndetin publik;

ç) dokumenti i lëshuar nga Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), në zbatim të ligjit nr. 152/2015, “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.

Të drejtën për ushtrimin e veprimtarisë së prodhimit të produkteve plehëruese e ka çdo person juridik ose fizik, që paraqet dokumentacionin, si: a) dokument certifikimi nga një trupë certifikuese, i lëshuar sipas ligjit;

b) diplomë Bachelor ose “master” të drejtuesit teknik në fushën e kimisë ose agronomisë;

c) kontratë pune me kohë të plotë e drejtuesit teknik;

ç) dokumentin që vërteton se ka laborator për kryerjen e analizave për qëllime të vetëkontrollit, në pronësi të prodhuesit ose një laborator tjetër të nënkontraktuar prej tij.

Në vendim përcaktohet se rregullat e reja për prodhimin, ambalazhimin dhe tregtimin e produkteve plehëruese hyjnë menjëherë në fuqi pasi botimit të tyre në Fletoren Zyrtare. Ligji i ri “Për produktet plehëruese” në neni 17 të tij parashikon se lejohet vetëm përdorimi i produkteve plehëruese të regjistruara nga fermerët. Gjithashtu, produktet plehëruese duhet të përdoren nga përdoruesi i fundit, duke respektuar kërkesat dhe udhëzimet që jepen në etiketë. Ligji parashikon se përdorimi i produkteve plehëruese duhet të sigurojë mbrojtjen e shëndetit të përdoruesve, të konsumatorëve, të kafshëve dhe të mjedisit. Rregullat e reja për përdorimin e produkteve plehëruese hyjnë në fuqi nga 1 janari 2025./ Monitor

produktet plehëruese të regjistruara

Sondazh

Poll