Bota

Takim në Presidencë me Osmanin, Kurti dhe Konjufca bisedojnë me ambasadorët e QUINT-it për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në kërkesën e tyre ndaj Kosovës ishin dakord që të zbatohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e pronës së Manastirit të Deçanit.

4 Prill 2024, 11:17 Nga N.F
Takim në Presidencë me Osmanin, Kurti dhe Konjufca bisedojnë me
Pamje nga takimi

KOSOVË- Mbrëmjen e djeshme presidentja e Kosovës ka zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, Konjufcën dhe me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, si dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë. Në lidhje me këtë takim Presidenca ka ndarë pamje nga kjo mbledhje.

“Takimi i Presidentes Osmani, Kryetarit Konjufca dhe Kryeministrit Kurti bashkë me ambasadorët e shteteve të Quint-it lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Presidenca.

Asnjë njoftim zyrtar nuk është lëshuar deri tani nga asnjëri prej institucioneve që udhëheqin Osmani, Konjufca e Kurti. Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në kërkesën e tyre ndaj Kosovës ishin dakord që të zbatohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e pronës së Manastirit të Deçanit.


Pasi Kosova u kushtëzua me progres në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës, kryeministri Albin Kurti muajin e kaluar urdhëroi Kadastrin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit. Ky vendim çoi në një fitore të Kosovës gjatë një votimi në Paris në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Europës që e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e KiE.

Vendimi i Kosovës u mirëprit nga ambasadorët e QUINT, të cilët dolën me një deklaratë të përbashkët. Kosova ka ende rrugë përpara në ambicien e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës. Në Asamblenë Parlamentare pritet të ketë debat më 16 prill dhe nëse aty merret miratimi, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

 

kosova osmani kurti quint

Sondazh

Poll