Politike

Tre drejtorët iu burgosën me urdhër të SPAK/ Lapsusi i Veliajt në reagimin e tij, e quan bashkinë "organizatë"

Për tre drejtorët që tashmë ndodhen pas hekurave me urdhër të SPAK, Veliaj tha se ata duhet t'i zgjidhin problemet e tyre me drejtësinë. Ai tha se problemet e tyre duhen zgjidhur pa i ulur ritmin sipas tij punës së bashkisë së cilës iu referuar sërish si organizatë. 

3 Prill 2024, 20:34 Nga r.ll
Tre drejtorët iu burgosën me urdhër të SPAK/ Lapsusi i
erion veliaj

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka folur sot për herë të parë për arrestimet tre drejtorëve Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tushe. Në një takim të zhvilluar me nxënësit e një gjimnazi në Tiranë, Veliaj tha se kishte kaluar ditë të vështira me shëndetin e tij, ndërsa bëri një lapsus kur përmendi ditët e vështira edhe në bashkinë e Tiranës. 

“Siç besoj e dini, kam pasur një javë sfiduese me shëndetin tim personal, por siç e keni parë nga lajmet, kam pasur edhe një sfidë me shëndetin e organizatës që drejtoj.", tha Veliaj duke iu referuar bashkisë jo si institucion si ajo që është por si organizatë. Në fjalimin e tij, Veliaj e ka cilësuar disa herë bashkinë si organizatë që ai drejton. 

Për tre drejtorët e sipërpërmendur dhe që tashmë ndodhen pas hekurave me urdhër të SPAK, Veliaj tha se ata duhet t'i zgjidhin problemet e tyre me drejtësinë. Ai tha se problemet e tyre duhen zgjidhur pa i ulur ritmin sipas tij punës së bashkisë së cilës iu referuar sërish si organizatë. 

"Unë mendoj se njerëzit duhet t’i zgjidhin problemet me drejtësinë pa e ulur ritmin e organizatës.", u shpreh ai. 

SPAK e akuzon Mollën së bashku me zyrtarë të tjerë të bashkisë se favorizuan kompaninë 5D Konstruksion në tendera punësh publike. Kompania është regjistruar në pronësinë e Nestor Muhametllarit, por prokuroria pretendon se ka de fakto zotërues Mollën dhe drejtorin tjetër të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato. Kompania 5D Konstruksion u themelua në vitin 2016 me emrin “Igor Elektrik” dhe e ndryshoi më pas emrin në vitin 2019 në V.A.S. Konstruksion dhe në vitin 2021 në 5D Konstruksion.

Të dhënat e bilanceve të kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se të ardhurat e saj ishin në masën 2.2 miliardë lekë [rreth 20 milionë euro] për periudhën nga viti 2016 kur u themelua deri në vitin 2022. Nga të dhënat e prokurimeve publike, kompania ka fituar 29 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 1.8 miliardë lekësh.

Sipas SPAK hetimet për Mollën dhe personat e tjerë të akuzuar në këtë dosje kanë filluar kryesisht në prill të vitit 2023, ndërsa më pas atyre u është bashkëlidhur edhe një kallëzim penal nga kandidati i opozitës për kryetar i Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, Belind Këlliçi. Sipas SPAK, Qato dhe Molla e kishin fshehur pronësinë mbi kompaninë 5D Konstruksion përmes ortakëve fiktivë në aktet e regjistrimit. Molla i ka mohuar akuzat në një qëndrim publik duke pretenduar se nuk kishte lidhje me kompaninë dhe se akuzat ishin sulm politik.

erion veliaj bashkia tirane

Sondazh

Poll