Bota

100 miliardë euro në 5 vite, NATO po planifikon për një plan të ri për mbledhjen e fondeve për Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se për krijimin e këtij fondi do të diskutohet nesërnë një takim të ministrave të jashtëm të Aleancës.

2 Prill 2024, 22:45 Nga N.F
100 miliardë euro në 5 vite, NATO po planifikon për një plan
Foto ilustruese

UKRAINË- Duke kërkuar mënyra të reja për të mbështetur Ukrainën, NATO po planifikon të krijojë një fond që do të mbledhë 100 miliardë euro gjatë pesë viteve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se për krijimin e këtij fondi do të diskutohet nesërnë një takim të ministrave të jashtëm të Aleancës.

Vendimi përfundimtar pritet në samitin e NATO-s që do të mbahet në korrik në Uashington. Më shumë se dy vjet që nga fillimi i pushtimit rus, Ukraina po jep alarmin për mungesën e municioneve me të cilat përballen forcat e saj të armatosura. Paketa prej 100 miliardë dollarësh synon gjithashtu të ndajë barrën financiare midis anëtarëve të Aleancës, pasi kontributi i disa shteteve si SHBA dhe Gjermania në fushatën për të mbështetur Ukrainën është proporcionalisht më i madh në krahasim me pjesën tjetër.

Nuk është sqaruar nëse angazhimet e mëparshme të shteteve për ndihmë ushtarake për Ukrainën do të llogariten në fondin e NATO-s. Planet e Aleancës për mbështetjen afatgjatë të Kievit përfshijnë gjithashtu krijimin e një organi të ri për të koordinuar shpërndarjen e armëve dhe municioneve si dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas.

Sipas diplomatëve, qëllimi përfundimtar është që mbështetja e Ukrainës të bëhet më pak e varur nga zhvillimet politike në vende të veçanta anëtare të NATO-s, gjë që me sa duket lidhet me shqetësimin e shprehur për rizgjedhjen e mundshme të Donald Trump në presidencën amerikane.

nato lufta ukraine-rusi ndihma ekonomike

Sondazh

Poll