Bota

Sapo kishte nisur fushatën, qëllohet për vdekje në mes të njerëzve kandidatja për kryebashkiake në Meksikë

Kjo ishte vrasja më e fundit në garën gjithnjë e më të përgjakshme të zgjedhjeve të 2 qershorit në Meksikë. Të paktën 14 kandidatë janë vrarë që nga fillimi i vitit 2024.

2 Prill 2024, 18:41 Nga r.ll
Sapo kishte nisur fushatën, qëllohet për vdekje në mes
gisela gaytan

MEKSIKË- Një tjetër kandidate për kryetare bashkie të qytetit Celaya të shkatërruar nga dhuna në Meksikë është vrarë sapo ajo filloi fushatën elektorale. Autoritetet në shtetin veri-qendror të Guanajuato thanë se kandidatja Gisela Gaytán u qëllua për vdekje në një rrugë jashtë qytetit të Celaya

Video e skenës e postuar në rrjetet sociale tregonte një kortezh të vogël njerëzish që thërrisnin "Morena!" - emrin e partisë së Gaytán. Në atë moment dëgjohen disa të shtëna dhe shihen njerëz duke vrapuar dhe duke u rrëzuar. Presidenti Andrés Manuel López Obrador tha se vrasja e kandidatëve të partisë së tij dhemb shumë, por ai nuk njoftoi ndonjë rritje të sigurisë për politikanët.  

"Ata sapo kanë vrarë kandidatin tonë nga Celaya... Kjo është diçka që na ka zemëruar, tronditur, në zi. Ne do të pezullojmë aktivitetet e fushatës," tha Alma Alcaraz, një tjetër kandidate me partinë qeverisëse Morena.

Guvernatori i shtetit të Guanajuato, ku ndodhi vrasja, Diego Sinhue, shkroi në X se sulmi "nuk do të mbetet i pandëshkuar". Vetëm disa orë para se të vdiste, Gaytán postoi një mesazh në Facebook, duke treguar takimin e saj me banorët vendas.

Kjo ishte vrasja më e fundit në garën gjithnjë e më të përgjakshme të zgjedhjeve të 2 qershorit në Meksikë. Të paktën 14 kandidatë janë vrarë që nga fillimi i vitit 2024.

Morena është partia e presidentit Andrés Manuel López Obrador, i cili largohet nga detyra në shtator. Zgjedhjet e 2 qershorit do të vendosin pasardhësin e tij, si dhe shumë poste shtetërore dhe komunale. Dhuna kundër politikanëve është e përhapur në Meksikë. Gjatë fundjavës, kryetari i bashkisë së Churumuco, një qytet në shtetin fqinj të Michoacan, u qëllua për vdekje në një. Guillermo Torres, 39 vjeç dhe djali i tij 14-vjeçar u sulmuan të dy në restorant. Djali i tij mbijetoi.

Dy kandidatë për kryetar bashkie u vranë  në një qytet tjetër në Michoacan më 26 shkurt: Miguel Angel Zavala Reyes dhe Armando Perez Luna nga Morena dhe Partia e Veprimit Kombëtar. Muajin e kaluar, prokurorët në Meksikën jugore thanë se kandidati për kryetar bashkie Tomás Morales u vra në shtetin e Guerreros në bregdetin e Paqësorit. Gjithashtu në mars, Alfredo González, një pretendent për kryetar bashkie në qytetin e Atoyac, Guerrero, u qëllua për vdekje.

meksike gisela gaytan

Sondazh

Poll