Bota

Çështja e dinarit/ Nis takimi trepalësh në Bruksel, Kosova dhe Serbia në tryezë me ndërmjetësuesit

Në dallim nga takimi i javës së kaluar, kur Lajçak së pari mbajti takime ndarëse me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç, në takimin e sotëm ai i takoi ata menjëherë në një takim trepalësh.

25 Mars 2024, 10:52 Nga M.B
Çështja e dinarit/ Nis takimi trepalësh në Bruksel, Kosova
Petar Petkoviç, Miroslav Lajçak dhe Besnik Bislimi

BRUKSEL-  Ka nisur një takim trepalësh mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar. Në dallim nga takimi i javës së kaluar, kur Lajçak së pari mbajti takime ndarëse me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç, në takimin e sotëm ai i takoi ata menjëherë në një takim trepalësh.

Takimi i sotëm është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë gjatë këtij takimi të sotëm. Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut. Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

 

 

dinari serb

Sondazh

Poll