Sport

Eriksson “i lumtur” që sot do të plotësojë ëndrrën, do të drejtojë Liverpool-in: "Unë jam ende në këmbë, jam gjallë"…

Ish-trajneri i njohur ka kancer dhe po përgatitet të përmbushë ëndrrën e tij për të drejtuar në “Anfield”

23 Mars 2024, 09:00 Nga DOSJA

Eriksson “i lumtur” që sot do të plotësojë

ANGLI - I diagnostikuar me kancer terminal, Sven-Göran Eriksson po përgatitet të përmbushë një ëndërr në ‘Anfield’. 

Ish-trajneri i njohur, që ka drejtuar edhe “Tre Luanët”, do të drejtojë Liverpool-in, klubin që ai gjithmonë e ka ëndërruar, kundër Ajax-it në një ndeshje legjendash, këtë të shtunë. Suedezi ndihet "me fat" dhe "i lumtur" për dashurinë dhe homazhet që ka marrë që kur njoftoi se ishte i sëmurë.

"Jam shumë i lumtur dhe ndihem me fat kur shoh që gjërat e mira që kam bërë festohen sa jam gjallë. Kjo nuk është e zakonshme. Normalisht, duhet të vdesësh dhe të bësh një funeral, para se njerëzit të thonë se sa i mrekullueshëm je. Jam i lumtur që njerëzit më thonë gjëra sa jam gjallë”,- tha ai në një konferencë për shtyp.

Më herët, në CNN, ish-trajneri 72-vjeçar ka rrëfyer se ndihej mire, pavarësisht sëmundjes. "Doktori thotë se nuk jam mirë, por unë ndihem shumë mirë. Kam atë që kam. E di që është kancer dhe nuk shërohet",- theksoi ai, duke u siguruar se e ka përballuar situatën në mënyrën më të mirë të mundshme me optimizëm. 

"Është një lloj lufte, por unë nuk jam ulur në një cep duke qarë. E jetoj jetën si më parë, pothuajse. Dhe gjithçka është në rregull. Unë jam ende në këmbë", theksoi ai.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll