Politike

Komisioni i Çështjeve Europiane/ Spiropali prezanton projektligjin "Për sigurinë kibernetike", Tabaku: A po kërkon qeveria të kontrollojë sigurinë e SPAK?

Në Komisionin për Çështjet Europiane, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali prezantoi projektligjin "Për sigurinë kibernetike".

18 Mars 2024, 13:19 Nga M.B
Komisioni i Çështjeve Europiane/ Spiropali prezanton projektligjin
Jorida Tabaku

TIRANA- Ditën e sotme është mbledhur Komisioni për Çështjet Europiane, nën drejtimin e deputetes së opozitës, Jorida Tabakut ku mungonin deputetët e PD-së së vulës. Në Komisionin për Çështjet Europiane, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali prezantoi projektligjin "Për sigurinë kibernetike".

“Ligji është i përafruar dhe është konsultuar me një shumësi institucionesh. Sa i takon çështjeve kushtetuese, këtu nuk ka vend për diskutime. Sepse nuk bëhet fjalë për akses në institucion, por për alertin e sigurisë kibernetike”, tha Spiropali.

Drejtuesja e Komisionit, Jorida Tabaku ngriti pyetjen se mos me këtë ligj për sigurinë kibernetike, maxhoranca mund ta kërkojë që të kontrollojë sigurinë kibernetike të SPAK-ut.

“Znj. Spiropali, kam dy shqetësime që lidhen me fjalën tuaj. Së pari, ju thatë që ka pasur një konsultim gjithëpërfshirës dhe ju referuat njëkohësisht përafrimit të plotë, por dhe drejtori me stafin e Komisionit kanë qënë në kontakt dhe ligji nuk është përafruar plotësisht. Ligji është i përafruar, jo në nivelin maksimal as i plotë. Por gjithsesi ne në këtë fazë nuk kemi detyrën për ta përafruar të plotë, kjo është një çështje tjetër.Shqetësimi im me një çështje që nuk është përafruar lidhet me nenin 3 në fushën e zbatimit, njëkohësisht me nenin 7 për të cilët kanë qënë në kontakt dhe stafet.

Në ligjin e mëparshëm por dhe direktiva e BE-së, përjashton fusha që lidhen me sigurinë kombëtare, sigurinë publike, mbrojtjen ose zbatimin e ligjit duke përfshirë parandalimin, hetimin, zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale që kanë rëndësi të veçantë dhe që janë një pushtet i pavarur. Ndërkohë që ju i keni përfshirë këto në infrastrukturë kritike dhe nuk janë të përjashtuara. Me pak fjalë, në të gjithë infrastrukturën që ju po ngreni për sigurinë kibernetike, institucionet e pavarura të drejtësisë, SHISH-i dhe çdo institucion tjetër është pjesë e kësaj infrastrukture tashmë. Ky është një problem kushtetues dhe problem për ruajtjen dhe kontrollin e pushteteve.

Unë kam kontaktuar me disa prej institucioneve sot të cilët më kanë thënë që nuk janë konsultuar, si psh Byroja Kombëtare e Hetimit, SPAK, Prokuroria e Përgjithshme. Që në momentin e parë që kam marrë ligjin, këtë punë të parë kam bërë, a janë konsultuar këto institucione? A siguron ky ligj që të ketë një pavarësi të hetimit dhe që të dhënat mos të cënohen? Ka qënë dispozita në ligjin e mëparshëm, është hequr dhe ndërkohë është një dispozitë tjetër që i përjashton këto fusha në ligjin europian. Përse e kemi ndjekur këtë standard dhe i keni përfshirë këto fusha tek infrastruktura kritike”, tha Tabaku.

komisioni i integrimit

Sondazh

Poll