Sport

Europa League dhe Conference League, sot ndahen “biletat” për në çerekfinale…

Sot në fushë Liverpool, Milan, Roma apo Leverkusen, interesante ndeshjet edhe në Conference League

14 Mars 2024, 14:06 Nga DOSJA
Europa League dhe Conference League, sot ndahen “biletat” për

ZVICER - Mbrëmjen e sotme do të përcaktohen skuadrat çerekfinaliste të Europa dhe Conference League.

Ekipi më në formë në Europë, Bayer Leverkusen, do të përpiqet të kalojë azerët e Qarabakut, ku aktivizohet futbollisti shqiptar Redon Xhixha, pasi në ndeshjen e parë skuadra e Xavi Alonsos me shumë vështiërësi arriti të evitojë humbjen, duke barazuar në 2-2. Leverkuseni mburret për momentin në Europë, me statusin e të pathyeshmit, pasi ka 36 ndeshje pa dështuar, duke regjistruar 31 fitore dhe 5 barazime.

Pretendenti tjetër dhe më kryesor në pamje të parë për fitimin e këtij trofeu, Liverpooli duket se do ta ketë thjeshtë një rutinë këtë ndeshje të dytë ndaj Spartës së Pragës pas fitores 5-1 në ndeshjen e parë javën e kaluar.

Gjigantët italianë të Milanit shkojnë në Pragë, ku i pret Slavia, me dy gola diferencë në avantazh, pasi fituan 4-2 në “San Siro”.

Në bregun jugor të Anglisë, Brightonit do t’i duhet një mrekulli të përmbusë fitoren 4-0 të Romës së De Rossit javën e shkuar. Mbajtësi i Europa League, West Ham, ka fituar të 10 nga 10 ndeshjet e fundit evropiane në stadiumin e Londrës, kështu do të pretendojë të bëjë edhe në këtë mbrëmje përballë Frieburg, ndaj të cilit ka humbur me shifrat 1-0 ndeshjen e parë.

Sportingu i Lisbonës do të vizitojë italianët Atalantës, ku aktivizohet kapiteni kuqezi Berat Gjimshiti, në një fushë loje të barabartë, pasi barazuan në ndeshjen e parë 1-1, pavarësisht se Atalanta pati edhe disa raste të tjera për të shënuar, por topi u ndal në tri raste në shtyllë.

Në Conferenca League, Fiorentina pret Maccabi Haifa-n, pas fitores së tyre të fundit 4-3 në Budapest, ndërkohë që Aston Villa gjithçka duhet ta luajë në “Villa Park” pas barazimit pa gola ndaj Ajax javën e kaluar.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll