Bota

Rrëmbimi masiv i nxënësve në Nigeri, rrëmbyesit kërkojnë mbi 620 mijë dollarë për t’i liruar

Studentët e vegjël, disa fëmijë më të rritur si dhe anëtarët e stafit të shkollës u rrëmbyen më 7 mars nga qyteti Kuriga në shtetin Kaduna . Ky është rrëmbimi i parë masiv në vend që nga viti 2021.

13 Mars 2024, 19:23 Nga S.N
Rrëmbimi masiv i nxënësve në Nigeri, rrëmbyesit
Foto Ilustrim

NIGERI- Personat e armatosur që rrëmbyen 286 studentë dhe staf nga një shkollë në  Nigerinë  veriore javën e kaluar kërkuan mbi 620 mijë dollarë si shpërblim për lirimin e tyre, tha një përfaqësues i familjeve të pengjeve dhe një këshilltar lokal për Reuters.

Studentët e vegjël, disa fëmijë më të rritur si dhe anëtarët e stafit të shkollës u rrëmbyen më 7 mars nga qyteti Kuriga në shtetin Kaduna . Ky është rrëmbimi i parë masiv në vend që nga viti 2021. Jubril Aminou, kreu i komunitetit lokal që përfaqëson familjet e pengjeve tha se ai mori një telefonatë nga rrëmbyesit dje. 

"Ata kërkuan gjithsej 620 mijë dollarë për të gjithë nxënësit dhe punonjësitt," tha Aminou. “Na dhanë afat që ta paguajmë shpërblimin brenda 20 ditëve duke filluar nga dita e rrëmbimit. Ata thanë se do të vrasin të gjithë studentët dhe stafin nëse shpërblesa nuk paguhet,” shtoi ai.

Shpërblimi i kërkuar nga rrëmbyesit korrespondon me më shumë se 2 mijë dollarë për peng. Kjo shumë është më e madhe se të ardhurat vjetore për frymë në Nigeri, sipas të dhënave të FMN-së. Idris Ibrahim, këshilltar i zgjedhur i Kurigës, e ka konfirmuar shumën. “Po, rrëmbyesit kanë kontaktuar komunitetin përmes Jubril Aminu dhe e kanë bërë këtë kërkesë", tha ai.

"Ata bënë një telefonatë të fshehtë, por autoritetet po përpiqen të gjejnë numrin e telefonit”, tha Ibrahim, duke siguruar se forcat e sigurisë po marrin të gjitha masat e duhura për të liruar pengjet. Rrëmbimi masiv për shpërblim është një problem i madh në vend.

Në disa raste, kur të afërmit e të rrëmbyerve nuk paguajnë shpërblimin, personat e armatosur nuk hezitojnë të vrasin robërit dhe t'i lënë trupat në ndonjë pyll. Në vitet e fundit, bandat kanë sulmuar vazhdimisht shkollat, kryesisht në zonat rurale të shteteve në veriperëndim të Nigerisë .

"Asnjë qindarkë nuk do të paguhet si shpërblim për të shpëtuar fëmijët e rrëmbyer," tha presidenti Bola Ahmed Tinubu.

Tinubu erdhi në pushtet në vitin 2023 duke premtuar se do t'i jepte fund valës së dhunës, veçanërisht aktivitetit të grupeve dhe bandave xhihadiste në veri, si dhe përleshjet ndërkomunale në shtetet qendrore.

nigeri rrembim masiv

Sondazh

Poll