Bota

Eksperti i çështjeve të sigurisë: Çfarë mund t'i ofrojë NATO Kosovës për sigurinë?

Qëllimi i parë është thellimi i përçarjes ndërmjet popujve në mënyrë që në rastin e Kosovës, komuniteti serb asesi të mos e pranojë funksionimin e shtetit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë, vendimmarrja politike të komplikohet edhe më shumë dhe si e tillë ka pasur raste që edhe ka ndodhur.

12 Mars 2024, 11:09 Nga N.F
Eksperti i çështjeve të sigurisë: Çfarë mund
Foto ilustruese

KOSOVË- Eksperti i çështjeve të sigurisë, ish-kryeinspektor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani flet për DW mbi luftën hibride të Rusisë në Ballkan, rrezikun e destabilizimit e ndihmën që mund të ofrojë NATO.

DW: Z. Ramadani, rreziku i luftës hibride të Rusisë në rajonin e Ballkanit është prezent, sipas  deklarimeve zyrtare të institucioneve ndërkombëtare dhe mekanizmave kosovarë të sigurisë, sa e rrezikshme është kjo luftë realisht?

Ramadani: Lufta hibride ruse, e cila ka për qëllim ndikimin në vendimmarrjen politike dhe disponimin e komuniteteve për shtete të caktuara është në vazhdimësi një prej rreziqeve kryesore të Ballkanit dhe ka të paktën tri synime afatshkurtra: Qëllimi i parë është thellimi i përçarjes ndërmjet popujve në mënyrë që në rastin e Kosovës, komuniteti serb asesi të mos e pranojë funksionimin e shtetit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë, vendimmarrja politike të komplikohet edhe më shumë dhe si e tillë ka pasur raste që edhe ka ndodhur.

Synimi numër dy i këtij aspekti afatshkurtër është fillimi i nxitjes së ndonjë situate, e cila do të shkaktonte incidente bazuar në informata të rrejshme dhe besim të lëkundur midis qytetarëve edhe shteteve. Dhe synimi i tretë është përçarja, respektivisht ndarja e shteteve të Ballkanit perëndimorë në aspektin e besimit për integrimet euroatlantike dhe uljen e besimit të popullatës për institucionet vendore.

DW: Rasti i Banjskës i 24 shtatorit të vitit të shkuar, është cilësuar si rasti me i rrezikshëm në këto vitet e fundit me një potencial të shkallës së lartë për destabilizim të Ballkanit, dështim i kujt mund të cilësohet ky rast, i institucioneve kosovare të sigurisë përfshirë AKI, apo i NATO-s dhe Policisë së EULEX-it, duke marrë parasysh që  ruajtja e kufirit të Kosovës është përgjegjësi e KFOR-it.

Ramadani: Rasti i Banjskës që ka qenë një sulm i një grupi paramilitar të pajisur dhe të organizuar nga vetë ushtria e Serbisë, është një prej sinjaleve që bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe institucioneve të Kosovës duhet të kalojë në aranzhmane tjera operacionale. Pra, unë nuk besoj që është dështim i një institucioni të vetëm, por është dështim i këtij mos operacionalizimit të informatës midis NATO-os dhe institucioneve vendore.

Pra nëse flasim për një veprim që ka ndodhur më pas që është patrullimi i përbashkët i kufirit midis KFOR-it dhe policisë së Kosovës, ai veprim është dashur të ndodhë edhe më herët dhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet vrojtimit nga niveli ajror që është kompetencë e KFOR-it dhe ndarja e këtyre informacioneve drejtpërdrejt dhe menjëherë me institucionet vendore.

Pra ka pasur një zbrazëtirë të komunikimit operacional, jo komunikimit profesional të përgjithshëm midis NATO-s dhe institucioneve vendore, e cila pastaj e ka dëshmuar se në raste të tilla  ndodhin incidente apo sulme të ngjashme sikurse në Banjska. Prandaj është e domosdoshme që NATO- t'i ofrojë Kosovës aranzhmane të reja operacionale me institucionet e sigurisë së Kosovës, jo domosdoshmërisht me politikën kosovare, sepse, institucionet e sigurisë së Kosovës janë më profesionale sesa që e kemi politikën.  

Marrë nga DW

burim ramadani nato siguri kosova

Sondazh

Poll