Politike

I ngarkuari me punë i SHBA-Së takohet me Nikollën: Parlamenti funksional, thelbësor për integrimin euroatlantik

Gjatë takimit u diskutua mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe thellimin e reformave.

11 Mars 2024, 17:12 Nga I.A
I ngarkuari me punë i SHBA-Së takohet me Nikollën: Parlamenti
Takimi

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, u takua sot me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-së, David Wisner. Gjatë takimit u diskutua mbi kontributin e Kuvendit në forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe thellimin e reformave.

Kryetarja Nikolla nënvizoi se Kuvendi po punon për avancimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. Gjithashtu Nikolla e informoi Wisner mbi përpjekjet për rikthimin e veprimtarisë së Kuvendit në normalitet, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit që shqyrtohet e miratohet në Kuvend.

“I Ngarkuari me Punë David Wisner u takua sot me Kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla për të theksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e saj në zbatimin e ligjit dhe kundër korrupsionit, teksa vendi ecën përpara drejt integrimit Euroatlantik. Një parlament plotësisht funksional, ku përfaqësuesit e zgjedhur punojnë në mënyrë konstruktive për njerëzit është thelbësor për përmbushjen e këtyre synimeve”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.

lindita nikolla david wisner

Sondazh

Poll