Aktualitet

Sollën kallashnikovin nga Korça me autobus, arrestohen dy të rinj në terminalin juglindor në Tiranë

Dy të rinjve iu gjet me vete edhe një thikë buke, ndërsa iu sekuestruan edhe tre aparate celular.

9 Mars 2024, 15:58 Nga r.ll
Sollën kallashnikovin nga Korça me autobus, arrestohen dy të
arma e mbeshtjelle

TIRANË- Një 27-vjeçar dhe një 28-vjeçar janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi kishin sjellë nga Korça në kryeqytet një armë zjarri kallashnikov. 

Arrestimi i tyre u bë në Tiranë në terminalin jug-lindor të autobusëve pas informacioneve që policia mundi të sigurojë përmes rrugëve informative, ndërsa arma ishte mbështjellë me batanije dhe ishte futur në një çantë të madhe. Dy të rinjve iu gjet me vete edhe një thikë buke, ndërsa iu sekuestruan edhe tre aparate celular.

Nga Korça dy shokët erdhën me autobus të linjës. Akoma nuk dihet arsyeja e sjelljes së armës në Tiranë, ndërsa kanë nisur hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen. Arma do të dërgohet në laborator për ekspertizë, për të parë nëse është përdorur në krime të tjera.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në zbatim të masave të planit operacional mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit", finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar "Udhëtarët".

Transportuan me autobusin e linjës Pogradec-Tiranë, një armë zjarri kallashnikov, me qëllim shitjen e saj te persona të tjerë në Tiranë, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov me bajonetë, dhe një mjet prerës thikë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të zbatimit të masave të planit operacional "Sundimi i ligjit", pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se dy shtetas që udhëtonin me autobusin e linjës Pogradec-Tiranë, dyshohej se po transportonin një armë zjarri kallashnikov, me qëllim shitjen e saj në Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Udhëtarët".

Si rezultat këtij operacioni, te terminali i autobusëve në afërsi të Casa Italias, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:

Xh. P., 28 vjeç, banues në Yzberisht, dhe F. P., 27 vjeç, banues në Pogradec.

Gjatë kontrollit të çantës personale të cilën këta shtetas mbanin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri kallashnikov me bajonetë, dhe një mjet prerës thikë. Arma e zjarrit ishte sjellë nga Pogradeci në Tiranë, për tu shitur tek persona të tjerë.

Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

korce tirane

Sondazh

Poll