Sport

Kupa e Shqipërisë/ “Harakiri” në “Arenën e Demave”, Kukësi i bën gjëmën Partizanit!

Partizani - Kukësi 0-1. Për të përcaktuar gjysmëfinalistin e çiftit, pas 120 minutash u deshën penalltitë. Verilindorët ishin më të saktë (5-3) dhe eliminojnë “Demat e Kuq”…

5 Mars 2024, 21:37 Nga DOSJA
Kupa e Shqipërisë/ “Harakiri” në “Arenën e

TIRANE - Në “Arenën e Demave” ndodhi ajo që pak kush mund ta besonte. Kukësi bën mrekullinë, fiton dhe kualifikohet në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, me Hasaj dhe Tafas që ishin protagonistët absolutë, të ndeshjes që u vendos nga penalltitë. Verilindorët e Devollit fituan 5-3.

90 minutat nuk mjaftuan, kjo pasi Kukësi fitoi minimalisht 0-1, ashtu si Partizani që kishte fituar sfidën e parë në Kukës, po me rezultatin minimal 1-0, falë golit të Taipit.

Në Tiranë, pjesa e parë nisi shumë mirë për verilindorët, me Kukësin që diktoi ritmin, ndërsa u shpërblye në minutën e 22-të, falë super-golit spektakolar të Hasajt.

Goli ndryshoi humorin e Partizanit, që provoi të reagonte, me Taipin (32’) dhe Carën (34’) që kërkuan golin e barazimit, por pa sukses dhe kështu u mbyll pjesa e parë.

Në fraksionin e dytë, të dyja skuadrat krijuan rastet e tyre, ndërsa në minutën e 69-të Mba i shkoi pranë golit, por nuk ia doli të kalonte pengesën e fundit, portierin Tafas.

Dy minuta më pas, Taipi ishte pranë golit, por ishi i kësaj sfide nuk gjeti koordinatat e duhura të portës së verilindorëve, me topin që preku edhe traversën.

Me kalimin e minutave Kukësi mendoj vetëm për mbrojtjen, teksa pavarësisht volumit, Partizani vuajti mungesën e saktësisë përpara portës dhe ndeshja shkoi në shtesë.

Në minutën e 93-të Tafas bëri heroin për Kukësin, ndërsa të besuarit e Orges Shehit vizituan rregullisht portën e Tafas edhe në minutat pasuese.

Gjithsesi, në fund asgjë nuk ndryshoi dhe koha shtesë nuk solli asnjë ndryshim në rezultat, teksa gjithçka u vendos pas serive të penalltive, ku Kukësi fitoi 3-5.

Tafas ishte heroi për Kukësin, me portierin që ndaloi Atanaskoskin, i cili ishte i vetmi që gaboi, e më pas portieri mori guximin për të shënuar nga pika e bardhë.

Për kryeqytetasit shënuan Mikulic, Cara dhe Murataj, ndërsa Zogos, Tafas, Lleshi, Mingo dhe Salami u treguan të gjithë të saktë, duke çuar Kukësin në gjysmëfinale, në një sezon shumë të vështirë në kampionat.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll