Bota

REL: Qasje e lirë në tregun e punës në rajon në kuadër të Ballkanit të Hapur

Sipas Qeverisë maqedonase, qëllimi i kësaj mase është të kontribuojë në heqjen e barrierave që pengojnë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe të mundësojë përdorimin e shërbimeve elektronike në kuadër të nismës rajonale.

5 Mars 2024, 17:07 Nga N.F
REL: Qasje e lirë në tregun e punës në rajon në
Foto ilustruese

TIRANË- Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të Serbisë dhe ata të Shqipërisë, nga 5 marsi mund të kenë qasje të lirë në tregun e punës në këto tri vende, ashtu siç parashihet në marrëveshjen e arritur në kuadër të nismës Ballkani i Hapur. Sipas Qeverisë maqedonase, qëllimi i kësaj mase është të kontribuojë në heqjen e barrierave që pengojnë tregtinë dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe të mundësojë përdorimin e shërbimeve elektronike në kuadër të nismës rajonale.

Masa bazohet në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara ndërmjet tri shteteve, anëtare të nismës Ballkani i Hapur, përkatësisht marrëveshjes për kushtet e qasjes së lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshjes për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor. Qytetarët e interesuar për qasje të lirë në tregjet e punës të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, fillimisht duhet të marrin numrin e identifikimit Ballkani i Hapur në portalin e shërbimeve elektronike në vendin e tyre, me të cilin aplikojnë për miratim për qasje të lirë në tregun e punës në dy vendet e tjera.

Procedura, siç bëhet e ditur në komunikatën e Qeverisë në Shkup, zhvillohet tërësisht në mënyrë elektronike dhe zgjat deri në 30 ditë. Në rastin e shtetasve maqedonas, pas regjistrimit në faqen e internetit uslugi.gov.mk dhe paraqitjes së kërkesës për lëshimin e numrit identifikues Ballkani i Hapur (OB ID), i cili gjenerohet menjëherë, hapi tjetër është përdorimi i atij numri për të dorëzuar një kërkesë për lëshimin e certifikatës për qasje të lirë në tregun e punës në Serbi në faqen e internetit euprava.gov.rs ose në Shqipëri e-albania.al.

Nisma Ballkani i Hapur, që fillimisht quhej si Mini Shengen, filloi më 10 tetor 2019 në Novi Sad dhe u nënshkrua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Nisma u kundërshtua nga opozita në Shqipëri dhe u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Marrë nga REL

serbi maqedoni e veriut shqiperi ballkan i hapur

Sondazh

Poll