Politike

SPAK kërkon 2 vite e 6 muaj burg, GJKKO vendos sot për Belerin

Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.

5 Mars 2024, 08:18 Nga M.B
SPAK kërkon 2 vite e 6 muaj burg, GJKKO vendos sot për Belerin
Fredi Beleri

TIRANA- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar merr sot vendimin për Fredi Belerin, i cili ndodhet në burg nën akuzën e blerjes së votave. Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 2 vite e 6 muaj burg për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. Beleri dhe Pandeli Kokaveshi në seancën që u mbajt më 28 shkurt kërkuan pafajësi ose minimumin e dënimit që parashikon vepra penale.

Mbrojtja e Belerit lexoi për më shumë se 3 orë konkluzionet e saj, ku avokati Geni Gjyzari përmblodhi të gjitha pretendimet e tij në 54 faqe. Fokusi ishte tek provat ku kërkoi pavlefshmëri dhe mospërdorimi i të gjitha përgjimeve e vëzhgimeve që janë bërë nga Prokuroria e Vlorës, Policia dhe më pas SPAK.

Kujtojmë se Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, pasi akuzohet se u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Ai u arrestua para votimeve për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe për rrjedhojë nuk ka mundur të betohet pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga qelia.

fredi beleri

Sondazh

Poll