Aktualitet

Grabitja e parave, Gjykata pranon “gjykim të shkurtuar” për Alda Klosin, Rozeta Dobin dhe të birin

Ish-shefja e kabinetit të ish-zv. ministrit Arben Ahmetaj akuzohet për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë para OPGJ.

4 Mars 2024, 11:06 Nga M.B

Grabitja e parave, Gjykata pranon “gjykim të shkurtuar”

TIRANA- Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Alda Klosit, Havier e Rozeta Dobit për gjykim të shkurtuar dhe në datë 19 mars Prokuroria e Tiranës pritet të japë konkluzionet përfundimtare. Ish-shefja e kabinetit të ish-zv. ministrit Arben Ahmetaj akuzohet për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë para OPGJ. Për Klosin hetimi pasuror është veçuar dhe vijon.

Nga ana tjetër sanitarja Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi akuzohen për vjedhje me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim.

Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit mori një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove. Vjedhja e shtëpisë së Klosit u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri. Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. 

alda klosi rozeta dobi

Sondazh

Poll