Bota

Anëtarët e bandave kriminale në Haiti sulmojnë burgun më të madh të vendit, arratisen disa nga autorët e vrasjes së ish-presidentit

Nuk është e qartë se sa janë liruar tashmë nga burgu "Pénitencier National" pas sulmeve të bandave, por sipas mediave vendase ishte një numër i madh.

3 Mars 2024, 08:47 Nga r.ll
Anëtarët e bandave kriminale në Haiti sulmojnë burgun
pamje nga sulmet

HAITI- Grupet e armatosura rrethuan burgun më të madh të Haitit mbrëmjen e djeshme, duke u përleshur me forcat e policisë. Dy nga sindikatat kryesore të policisë së Haitit kanë bërë thirrje për ndihmë për të parandaluar të burgosurit, shumë prej tyre kriminelë famëkeq, të arratisur nga burgu "Pénitencier National" në kryeqytetin Port-au-Prince.

Nuk është e qartë se sa janë liruar tashmë nga burgu "Pénitencier National" pas sulmeve të bandave, por sipas mediave vendase ishte një numër i madh. Oficerët e policisë që ruanin burgun e braktisën atë, ndërsa sipas raportimeve mes të burgosurve ka shumë prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Presidentit Jovenel Moise më 7 korrik 2021.

Qeveria e Haitit, vendi më i varfër në hemisferën perëndimore, nuk ka komentuar deri tani asnjë nga zhvillimet e fundit. Situata në kryeqytet është përkeqësuar këto ditë, me të shtëna të forta armësh, pasi kreu i bandës Jimmy Sergier,  paralajmëroi se sulmet për përmbysjen e Qeveria e Henrit do të përshkallëzohen.

Sulmi në burg vjen pas raportimeve se persona të armatosur u përpoqën të pushtonin portin kryesor, duke ndërprerë trafikun dhe ngarkimin dhe shkarkimin e kontejnerëve. Bandat kërcënuan se do të sulmonin më shumë stacione policie. Pas vrasjes në vitin 2021 të Presidentit Jovenel Moise, kriza shumëdimensionale, ajo e sigurisë, humanitare, shëndetit publik, politike, u thellua edhe më shumë në Haiti mes përhapjes së bandave, të cilat gradualisht vunë nën kontrollin e tyre një pjesë të madhe të vendit, sidomos kryeqytetin. Numri i vrasjeve u dyfishua në vitin 2023, sipas të dhënave të OKB-së.

Në pushtet që nga viti 2021, Henry duhej të dorëzonte postinmë 7 shkurt sipas një marrëveshjeje të arritur në dhjetor 2022, por qëndroi, duke argumentuar se siguria duhet të rivendoset në mënyrë që të mund të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për të ndihmuar policinë Haitiane të përballet me valën e dhunës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së tetorin e kaluar i dha dritën jeshile vendosjes së një force të armatosur ndërkombëtare në vend, të cilën Kenia u ofrua ta drejtonte. Por mbetet e paqartë se kur do të zhvillohet.

perplasje ne haiti

Sondazh

Poll