Bota

Një grua dhe një foshnjë vdesin nga sulmi ajror rus në Odesa/ Zelenkyy: Duhen më shumë kapacitete për mbrojtjen ajrore

Sulmi la fasadën e përparme të një blloku apartamentesh në rrënoja. Andriy Kostin, Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës vuri në dukje se nuk ka asnjë objekt ushtarak aty pranë, duke e quajtur sulmin një shënjestrim të qëllimshëm të civilëve.

2 Mars 2024, 20:51 Nga S.N
Një grua dhe një foshnjë vdesin nga sulmi ajror rus në
Foto Ilustrim


UKRAINË- Një nënë dhe një foshnjë ishin midis shtatë personave të vrarë në një sulm me dron rus gjatë natës në qytetin ukrainas të Odesa, thanë zyrtarët.

Motra e gruas së vdekur i tha CNN se nëna quhej Anna dhe se ajo ishte në dhomën e gjumit në katin e dytë të ndërtesës së saj të banesës kur ndodhi sulmi. Ajo ishte një luleshitëse dhe dekoruese. Burri dhe vajza e saj i mbijetuan sulmit me dron, tha motra e saj për CNN.

Një djalë dy vjeçar, për të cilin zyrtarët thanë se quhej Timofii, u zbulua nën rrënojat në një katine parë pas sulmit, tha Komuna e qytetit të Odesa në Telegram. Ai u vra një ditë para ditëlindjes së tij të tretë, tha në një intervistë televizive Oleh Kiper, kreu i administratës ushtarake të rajonit Odesa. Më herët gjatë ditës, Oleh Kiper, kreu i administratës ushtarake të rajonit Odesa tha se autoritetet po kërkonin deri në 12 persona, katër prej të cilëve janë fëmijë.

Sulmi la fasadën e përparme të një blloku apartamentesh në rrënoja. Andriy Kostin, Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës vuri në dukje se nuk ka asnjë objekt ushtarak aty pranë, duke e quajtur sulmin një shënjestrim të qëllimshëm të civilëve. E diela është shpallur ditë zie në Odesa, sipas administratës së qytetit. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmi tregoi nevojën për të forcuar më tej kapacitetet e mbrojtjes ajrore të vendit.

“Një nga dronët e armikut goditi një ndërtesë banimi në Odesa. Më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, më shumë raketa për mbrojtjen ajrore është ajo që shpëton jetë," tha ai.

Ukraina u ka kërkuar aleatëve të saj perëndimorë më shumë ndihmë ushtarake, ndërsa lufta e  saj kundër Rusisë hyn në vitin e saj të tretë. Javën e kaluar, Zelensky paralajmëroi se “miliona” mund të vdesin nëse ligjvënësit amerikanë nuk miratojnë kërkesën e Presidentit Joe Biden për ndihmë prej 60 miliardë dollarësh për Kievin, disa orë pasi njoftoi se rreth 31 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë deri më tani në konflikt.Udhëheqja republikane në Dhomën e Përfaqësuesve deri më tani ka refuzuar të mbajë një votim  për sigurimin e më shumë fondeve.

 

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll