Sport

Branko Ivankoviç, trajner i ri i Kinës…

Trajneri kroat do të zëvendësojë serbin Aleksandar Jankoviç

24 Shkurt 2024, 19:39 Nga DOSJA
Branko Ivankoviç, trajner i ri i Kinës…

KINE - Branko Ivankoviç është emëruar trajner i kombëtares kineze, njoftoi këtë të shtunë Federata Kineze e Futbollit (CFA). Kroati 69 vjeçar, më pare ka qenë trajner i Omanit që nga viti 2020.

Ivankovic do të zëvendësojë serbin Aleksandar Jankoviç, i emëruar në këtë post një vit më parë dhe që drejtoi Kinën gjatë Kupës së Azisë.

Skuadra kineze u eliminua në fazën e grupeve, pas dy barazimeve dhe një humbjeje ndaj mikpritësve të Katarit, i cili përfundoi duke ruajtur titullin aziatik në finale, më 10 shkurt.

Me gjithë ambiciet e mëdha të shpallura në dekadën e fundit nga qeveria kineze për futbollin e vendit, kombëtarja kineze ndodhet aktualisht në vendin e 88-të në renditjen e FIFA-s, në të njëjtin nivel me 10 vjet më parë.

Emërimi i Ivankoviç vjen në një kohë kur futbolli kinez është prekur nga skandale të njëpasnjëshme korruptive.

Në një dokumentar të transmetuar në janar në televizionin shtetëror kinez, ish-trajneri Li Tie pranoi se kishte korruptuar skuadrat kundërshtare për të fituar disa ndeshje, kur ai ishte në krye të Wuhan Zall-it, dhe për të arritur promovimin në nivelin më të lartë të futbollit kinez.

Të premten, mediat kineze thanë se Li Tie ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ish-presidenti i AQF-së Chen Xuyuan u deklarua gjithashtu fajtor për korrupsion në janar në hapjen e gjyqit në të cilin ai u akuzua për marrjen e më shumë se 81 milionë juanë (10.4 milionë euro) ryshfet.

Chen Xuyuan pranoi një ryshfet prej dy milionë juanë (rreth 256.600 euro) nga Li Tie për të emëruar ish-yllin si trajner, sipas Zyrës së Prokurorit Publik. Chen u dënua me 15 vjet burg, ndërsa nënkryetari i AQF-së Du Zhaocai do të vuajë një dënim me 13 vjet burg, sipas mediave kineze.

Këto çështje penale janë pjesë e një fushate të madhe kundër korrupsionit të nisur nga udhëheqësi kinez Xi Jinping një dekadë më parë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll