Aktualitet

Gjykata e Durrësit cakton "Arrest me burg" për Çipurin e Vlorës

Targat e automjetit tip “Mercedes Benz” që drejtonte Armando Sulejmani ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë.

24 Shkurt 2024, 13:19 Nga h.k
Gjykata e Durrësit cakton "Arrest me burg" për
Foto ilustruese

DURRËS-Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg 2 muaj për Armando Sulejmanin, i njohur me nofkën “Çipuri”, ish-anëtar i bandës së Gaxhait.

Gjykata e Durrësit ka vleftësuar të ligjshëm arrestimin. Gjyqtarja Shpëtime Pitaku e vlerësoi këtë periudhë të mjaftueshme për prokurorinë për të dokumentuar akuzën e ngritur ndaj tij për vjedhje automjeti.

Sulejmani u arrestua dy ditë më parë duke udhëtuar me një makinë me targa të vjedhura, që dyshohej se do përdorej në ngjarje kriminale.

Në seancën gjyqësore për masën e sigurisë, Çipuri deklaroi se automjeti nuk është i tij.

“Makina është e shokut jo e imja, e kam marrë në përdorim. Nuk kisha dijeni për targat që janë të vjedhura”, ka thënë ai në gjykatë, sipas burimeve të gazetares së Klan News në Durrës, Enkelejda Arapi.

Targat e automjetit tip “Mercedes Benz” që drejtonte Armando Sulejmani ishin të vjedhura dhe i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, i vjedhur më datë 03.11.2023, në Tiranë.

Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.

Në kërkim u shpall shtetasi L. Z., 26 vjeç, banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.

Armando Sulejmani është personazh i njohur si për policinë, i dyshuar e akuzuar në disa ngjarje kriminale. Ai po ashtu i ka shpëtuar të paktën 2 atentateve deri më tani. Në 2019-n, Sulejmani i shpëtoi një atentati në Vlorë. Në këtë rast nga të shtënat mbetën të vrarë Arjan Hasani dhe Orest Rexho. “Çipuri”, i cili dyshohej se ishte dhe objektivi i këtij atentati, mbeti i plagosur. Për këtë ngjarje 48-vjeçari u arrestua për armëmbajtje pa leje, pasi u zbulua se kishte me vete armë zjarri.

Ndërsa në vitin 2016, ai i shpëtoi një tjetër atentati pranë shtëpisë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës. Edhe në këtë rast ai mbeti i plagosur. Në atë kohë, Sulejmani sapo kishte dalë nga burgu, pasi kishte përfunduar dënimin për një vrasje.

Banda e Gaxhait në Vlorë veproi gjatë 1997-ës dhe mbi anëtarët e saj rëndonin akuza për vepra kriminale si mbajtje e mjeteve luftarake, vrasje, pengmarrje, gjobëvënie. Në vitin 2002, Sulejmani u dënua me 20 vite burg për akuzën e vrasjes. Ai u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit për vrasjen e Robert Borakut, po në 2002-n, vendim që u la në fuqi më pas nga Gjykata e Lartë.

gjykata e e durresit cipuri i vlore

Sondazh

Poll