Bota

Fermerët francezë u rikthehen protestave në Paris

Kjo protestë vjen 3 javë pasi fermerët hoqën pengesat rreth Parisit pasi qeveria ofroi 400 milionë euro për të adresuar ankesat e tyre për të ardhura të ulta.

23 Shkurt 2024, 19:29 Nga S.N

 

Fermerët francezë u rikthehen protestave në Paris
Foto Ilustrim

FRANCË- Fermerët francezë janë kthyer në rrugët e Parisit për një tjetër protestë me traktorët e tyre ditën e sotme. Ata kanë kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria, ndërsa ditët në vijim do të mbahet një panair i madh bujqësor në Paris, shkruajnë mediat e huaja.

Dhjetra traktore hynë paqësisht në Paris. Kjo protestë vjen 3 javë pasi fermerët hoqën pengesat rreth Parisit pasi qeveria ofroi 400 milionë euro për të adresuar ankesat e tyre për të ardhura të ulta. Veprimet e fermerëve francezë janë pjesë e një lëvizjeje më të gjerë protestash në Evropë kundër politikave bujqësore të BE-së, burokracisë dhe kushteve të përgjithshme të biznesit.

Fermerët ankohen se politikat mjedisore të bllokut 27-vendesh, të tilla si Marrëveshja e Gjelbër, e cila kërkon kufizime në përdorimin e kimikateve dhe në emetimet e gazeve serrë, kufizojnë biznesin e tyre dhe i bëjnë produktet e tyre më të shtrenjta se importet jashtë BE-së.

Protesta të tjera po organizohen në të gjithë Francën , ndërsa fermerët kërkojnë të ushtrojnë presion ndaj qeverisë për të zbatuar premtimet e saj.

Zyrtarët qeveritarë kanë mbajtur një sërë takimesh me sindikatat e fermerëve në javët e fundit për të diskutuar një projekt-ligj të ri që synon të mbrojë "sovranitetin bujqësor" të Francës dhe i cili do të debatohet në parlament këtë pranverë.

Plani i qeverisë përfshin gjithashtu qindra milionë euro ndihma, ulje taksash dhe një premtim për të mos ndaluar pesticidet në Francë që lejohen gjetkë në Evropë. Fermerët francezë thonë se ndalime të tilla i vënë ata në një disavantazh të padrejtë.

fermeret france be protesta

Sondazh

Poll