Politike

"Zhvlerësimi i Euros, i qëllimshëm"/ Meta: Rrënimi i biznesit fason dhe humbja e vendeve të punës, përgjegjësi e qeverisë

Zhvlerësimi i Euros sipas Metës është i qëllimshëm nga ana e qeverisë dhe se po shkakton pasoja të rënda ekonomike dhe sociale.

22 Shkurt 2024, 13:23 Nga S.B
"Zhvlerësimi i Euros, i qëllimshëm"/ Meta: Rrënimi
Ilir Meta

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka bërë një reagim në lidhje me zhvlerësimin e Euros dhe pasojave që ka tek ekonomia shqiptare dhe tek bizneset fason. Sipas Metës është shqetësuese rënia e eksportit të këpucëve “Made in Albania” me 30% në krahasim me vitin e kaluar. Një tjetër fakt shqetësues sipas tij është edhe humbja e 3000 vendeve të punës nga fillimi i vitit 2024 dhe mendohet se shifrat do të arrijnë në 25 mijë vende pune të humbura deri në qershor të këtij viti. Meta fajëson qeverinë për fondet e pamjaftueshme ndaj bizneseve si dhe garancitë e tilla ai i quan si mashtrime propagandistike. Zhvlerësimi i Euros sipas Metës është i qëllimshëm nga ana e qeverisë dhe se po shkakton pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Meta mbyll reagimin e tij me akuza ndaj qeverisë duke thënë se është ajo nxitësja e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Reagimi i plotë:

Zhvlerësimi i qëllimshëm i Euros është kthyer në një gangrenë të rrezikshme për ekonominë shqiptare dhe veçanërisht për eksportet dhe biznesin fason. Të dhënat e fundit nga këta sektorë vijojnë të jenë alarmante.

Vetëm për një periudhë një vjeçare nga Janari 2023 deri në Janar 2024, në Shqipëri eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 18.5%.

Më dramatike është rënia e këpucëve “Made in Albania” me 30%, krahasuar me një vit më parë, ndërsa eksportet e tekstileve ranë me 7.8%.

Nga 108 milionë Euro në Janar të 2023, eksportet në 2024 u tkurrën në 88 milionë Euro.

Vetëm për një periudhë një mujore, Janar 2024-Shkurt 2024 u raportuan 3000 vende pune të humbura në biznesin fason, ndërsa sipas përfaqësuesve të këtij sektori, nëse do të vijojë kjo situatë e vështirë, projeksionet flasin për 25.000 vende pune të humbura deri në fund të muajit Qershor 2024.

Vetëm 4 miliardë Lekë është ndihma e qeverisë së Rilindjes nëpërmjet Garancisë Shtetërore për biznesin fason, por kjo shumë është totalisht e pamjaftueshme, sepse të dhënat konfirmojnë se vetëm për shkak të zhvlerësimit të Euros, në një vit, humbjet financiare në këtë sektor janë 110 milionë Euro.

Kjo Garanci është vetëm një manovër mashtruese propagandistike, ashtu siç ndodhi edhe me Garancitë gjatë pandemisë që rezultuan dështime dhe mashtrime.

Zhvlerësimi i qëllimshëm i Euros nga ana e qeverisë po shkakton pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Ashtu edhe siç FMN konstatoi në raportin e fundit, ky zhvlerësim nuk është i shpjeguar plotësisht nga bazat ekonomike.

Të dhënat zyrtare për volumin e shkëmbimit të Euro-s në Lekë janë edhe më tronditëse.

Vetëm gjatë vitit 2023 në Shqipëri u konvertuan 12 miliardë Euro, ndërkohë që kjo shumë në vitin 2016 ishte 6.5 miliardë Euro, ndërsa mesatarja historike e konvertimit të Euros ka qenë 5 miliardë Euro në vit!

Rrënimi ekonomik i eksporteve dhe biznesit fason dhe humbja e mijërave vende të punës është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisë së Rilindjes, e cila është nxitësja, bashkëpunëtorja dhe përfituesja kryesore e pastrimit të parave të pista të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

ilir meta zhvleresimi i euros

Sondazh

Poll

Politike 22 Shkurt 2024, 12:04 I.A

Ambasadori britanik viziton SPAK

  Makina e ambasadorit TIRANË- Ambasadori britanik në vendin tonë Alastair King-Smith ka shkuar në Prokurorinë e P...