Bota

Vdekja e 4-vjeçares në Gjakovë, ShSKUK dhe Spitali i Gjakovës: Fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, kishte infeksion akut të shkallës së lartë

Në reagimin e ShSKUK thuhet se pas analizave dhe konsultave, vogëlushja ishte vendosur për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë për infeksion akut të rëndë i shkallës se lartë.

21 Shkurt 2024, 15:55 Nga N.F
Vdekja e 4-vjeçares në Gjakovë, ShSKUK dhe Spitali i
Spitali i Gjakovës

GJAKOVË- Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka reaguar në lidhje me vdekjen  4-vjeçares në spitalin e Gjakovës. Në reagimin e ShSKUK thuhet se pas analizave dhe konsultave, vogëlushja ishte vendosur për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë për infeksion akut të rëndë i shkallës se lartë. ShSKUK më tëj ka apeluar që mos të spekulohet  në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në zbardhjen e rezultateve të hetuesve.

“Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”, thuhet në reagim.

“ShSKUK, ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë. ShSKUK, apelon që në publik, mos të spekulohet  në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë,  të cilat  do të merren parasysh edhe nga ShSKUK për veprime të mëtejme”, thuhet më tej në reagim.

Ndërkohë në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Spitali “Isa Grezda”, në Gjakovë ku për mes një postimi në "Facebook" ka mohuar pretendimet e prindërve të 4-vjeçares se nuk ka pasur trajtim të duhur mjekësor në këtë spital. 

“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet”, thuhet në reagim.

Më tej ata kanë shtuar se i kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm autoriteteve që nga pranimi i rastit e deri në referimin e pacientes.

“Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen”, thuhet në reagim.

 

vdekja e 4-vjeçares ne gjakove

Sondazh

Poll