Politike

Sot protesta e opozitës, Meta dhe Kryemadhi nuk do të jenë të pranishëm (ARSYEJA)

Mësohet se në protestë, nuk do të jenë të pranishëm kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilët raportohet se ndodhen jashtë vendi për arsye personale.

20 Shkurt 2024, 14:36 Nga r.ll

Sot protesta e opozitës, Meta dhe Kryemadhi nuk do të jenë

TIRANË- Ditën e sotme pritet të mbahet protesta e thirrur nga opozita. Mësohet se në protestë, nuk do të jenë të pranishëm kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të cilët raportohet se ndodhen jashtë vendi për arsye personale.

Ndërkohë që sa i takon fjalimeve që do të mbahen në protestën e sotme, ato do të kenë disa protagonistë, nga Sali Berisha, i cili do t’i drejtohet mbështetësve me një fjalim nga ballkoni i tij, te Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe aleatët e tjerë në opozitë.

Mësohet se opozita ka marrë leje në polici për rreth 5 orë për zhvillimin e protestës. Sipas Policisë së Shtetit në kuadër të masave të marra për protestën, në terren do të jenë 1100 forca policie duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës. Në gatishmëri pritet të jenë edhe forcat RENEA. Gjithashtu do të bllokohen disa segmente rrugore dy orë para nisjes së protestës deri në përfundim të saj.

Dyert e Kryeministrisë do të jenë të blinduara me veshje metalike, ndërsa përgjatë gjithë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" janë instaluar kamera me rezolucion të lartë. Segmentet rrugore që janë të bllokuara: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

 

ilir meta monika kryemadhi protesta e opozitës 20 shkurt 2024

Sondazh

Poll