Bota

Vdekja e kritikut të Putin, shoku i qelisë rrëfen orët pak para vdekjes së Alexei Navalny: Forcuan masat e sigurisë, ndaluan çdo lëvizje mes kazermave

Gazeta investigative ruse ka arritur të flasë me një nga shokët e burgut të Navalny-t, i cili është i burgosur në koloninë e largët penale IK-3, e njohur ndryshe edhe si "Ujku Polar".

19 Shkurt 2024, 16:42 Nga N.F
Vdekja e kritikut të Putin, shoku i qelisë rrëfen orët pak
Alexei Navalny

RUSI- Gazeta ruse "Novaya Gazeta" pas vdekjes së kritikut të Putin, Alexei Navalny përmes një artikulli ka zbuluar se çfarë ndodhi pak përpara vdekjes së tij në koloninë penale. Informacioni më i ri e bën edhe më të pabesueshëm versionin zyrtar të Kremlinit se Navalny u rrëzua dhe vdiq pas një shëtitje të premten në mëngjes.

Gazeta investigative ruse ka arritur të flasë me një nga shokët e burgut të Navalny-t, i cili është i burgosur në koloninë e largët penale IK-3, e njohur ndryshe edhe si "Ujku Polar". Sipas shokut të qelisë një "rrëmujë misterioze" shpërtheu në qendrën e paraburgimit të enjten në mbrëmje, disa orë përpara se të shpallej vdekja e Navalny-t.

“Gjithçka filloi kur na përshpejtuan kontrollet e darkës. Kjo ndosh zakonisht në ditë festash, kur gardianët nxitojnë të festojnë. Por as e enjtja dhe as e premtja nuk ishin ditë pushimi.

Më pas na mbyllën, ndaluan çdo lëvizje mes kazermave dhe forcuan masat e sigurisë. Dëgjuam makinat që po lëviznin drejt ambienteve të burgut natën vonë, por nuk mund të shihnim se çfarë ishin ato nga dritaret e qelisë sonë,” thotë i burgosuri.

Të nesërmen në mëngjes, rojet thuhet se kanë kontrolluar tërësisht qelitë e të burgosurve dhe kanë konfiskuar telefona, lojëra me letra, madje edhe bobina ngrohëse, që nuk i kishin parë më parë. Mësohet se rojet kishin përshtypjen se pritej një inspektim i jashtëm.

Kjo ishte jashtëzakonisht e pazakontë, thekson i burgosuri, pasi normalisht si administrata, ashtu edhe të burgosurit, marrin vesh për kontrolle të tilla rreth një muaj përpara sepse nuk ka interes që inspektorët të konstatojnë shkelje.

“Dhe kështu ne po prisnim një inspektim të papritur. Diçka duhet të ketë ndodhur,” thotë i burgosuri.

Rreth orës 10 të mëngjesit të së premtes, lajmi për vdekjen e Navalny-t u përhap mes të burgosurve të ‘Ujkut Polar’.

Zona ku ishte strehuar Navalny ishte disi larg nga kazermat, por të burgosurit pamë një ambulancë që lëvizte atje lart. Të premten në mëngjes, kur Navalny vdiq, sipas autoriteteve penale, nuk kishte ambulancë në koloni. Ajo u shfaq vetëm kur u bë e ditur vdekja e Navalny-t.

 “Kështu që unë mendoj se ai ka vdekur shumë më herët nga sa është njoftuar zyrtarisht- me shumë mundësi një natë më parë. Përndryshe pse do na mbyllnin plotësisht dhe do na kontrollonin kaq imtësisht?” shtoi ai.

Sipas të burgosurit, drejtori i burgut dhe kreu i kolonisë penale u shfaqën të shqetësuar pas njoftimit për vdekjen e Navalny-t. Përveç kësaj, inspektorët nga qendra thuhet se kanë shkuar në koloni në të njëjtën kohë me njoftimin e vdekjes. Informatori i gazetës e sheh këtë si dëshmi se Navalny në të vërtetë vdiq më herët se sa pretendojnë autoritetet.

Përveç kësaj, Kremlini vazhdon të refuzojë t’ia dorëzojë trupin familjes. Sipas "Novaya Gazeta", trupi po mbahet në spitalin e qarkut në qytetin Salekhard në veriun e Siberisë. Mësohet se trupi i të vdekurit ka të nxira. Për një punonjës të shërbimit të urgjencës, mavijosjet tregojnë se Navalny ka pasur konvulsione para vdekjes së tij dhe mbahej nga punonjësit e burgut. Një mavijosje në kraharor është gjithashtu një tregues se në të vërtetë janë bërë përpjekje për ta sjellë në jetë.

putin alexei navalny

Sondazh

Poll