Aktualitet

Shqipëria ‘mbytet’ në vaj palme dhe qumësht pluhur

Si rrallë herë, protestat e blegtorëve prodhuan rezultat. Nga 120 lekë për litër, baxhot dhe fabrikat tashmë po e marrin qumështin e bagëtive të imta me 160 lekë për litër. 

13 Shkurt 2024, 18:53 Nga Esmeralda Topi
Shqipëria ‘mbytet’ në vaj palme dhe qumësht pluhur
Foto ilustruese

TIRANË-Besart Kaba është një nga dhjetra blegtorët e jugut që protestuan pak ditë më parë rrugëve të Shqipërisë. Këtë fillim viti, baxhot dhe fabrikat e përpunimit vendosën ta ulnin me 30% çmimin e qumështit të bagëtive të imta. 

“Me këto çmime qesharake që ka në Shqipëri i bie të punojmë ne për delet dhe jo delet per ne”, thotë Besarti. 

Si rrallë herë, protestat e blegtorëve prodhuan rezultat. Nga 120 lekë për litër, baxhot dhe fabrikat tashmë po e marrin qumështin e bagëtive të imta me 160 lekë për litër. 

“Nuk kemi dalë më të bëjmë protesta sepse të gjitha baxhot e vendosën çmimin e qumështit 160 lekë. Nuk jemi të bashkuar ne si fermerët e Europës, e prenë baxhot çmimin dhe u tërhoqën të gjithë.”, sqaron me keqardhje blegtori nga Lazarati i Gjirokastrës. 

Besarti ka rreth 400 krerë me bagëti të imta. Blegtorinë e ka trashëguar nga i ati, por edhe pse ka vite në sektor, të ardhmen e sheh me dyshim. 

“Nuk ka ditë që të mos e mendoj shitjen e bagëtive. Nëse çmimi për qumështin nuk shkon në 200 lekë për litër, kostot janë shumë të mëdha për blegtorët. Jam i lëkundur gjatë gjithë kohës sepse është e kot të merresh me këto çmime qesharake. Duhet t’i shesësh edhe të ikësh”, përfundon ai. 

Blegtoria në krizë

Statistikisht blegtoria shqiptare po përjeton krizë, pasi numri i krerëve është pakësuar ndjeshëm dekadën e fundit. Sipas të dhënave nga INSTAT, në 2013 në vend numëroheshin 356 mijë lopë. Në fund të 2022 numri i tyre është pakësuar me 95 mijë.

Tkurrje të fortë ka pasur edhe tek krerët e bagëtive të imta. Nga 2,7 milionë krerë me dele/dhi në fund të vitit 2013, një dekadë më pas rezultojnë 700 mijë krerë më pak. 

Për shkak të pakësimit të bagëtive edhe prodhimi i qumështit ka rënë. Nga 2013 deri në fund të 2022, prodhimi i qumështit në Shqipëri është reduktuar me 161 mijë tonë. 

Ciklin rënës të blegtorisë, ekspertët e shohin si pasojë të mungesës së mbështetjes dhe politikave të gabuara fiskale ndaj sektorit.

“Blegtoria është në vështirësi serioze. Shkaku kryesor i rënies së numrit të krerëve janë politikat e gabuara fiskale. Një tjetër arsye janë dhe subvencionet, pasi skemat janë diskriminuese. Rënia e blegtorisë nisi në 2018 dhe këtë e tregojnë dhe shifrat e INSTAT-it. Goditjen përfundimtare ia dha trefishimi i inputeve bujqësore dhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.”- Eduard Sharka, Kryetar i Shoqatës së Fermerëve. 

Në vitin 2019, qeveria shqiptare vendosi të ulë rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për qumështin e prodhuar nga fermerët vendas nga 20 për qind në 6 për qind. 

Kjo lëvizje sipas gazetarit të ekonomisë Klodian Tomorri, ishte goditja e parë ndaj prodhimit vendas të qumështit. Goditja e dytë shton ai, erdhi tre vjet më vonë, kur qeveria vendosi që ta heqë fare rimbursimin e tvsh-së për qumështin vendas, duke e ulur nga 6 për qind në zero. 

“Nëse një fabrikë përpunimi ble qumësht nga fermeri vendas me 100 lekë për litër, kostoja reale i shkon 120 lekë për shkak se duhet të paguajë dhe tvsh-në në shtet 20 lekë. Por kur qumështin e ble nga importi me 100 lekë, atëherë kostoja reale i mbetet sërish rreth 100 lekë sepse i kreditohet tvsh që paguan në doganë.  Rezultati? Fabrikave të përpunimit të qumështit u leverdis më shumë të importojnë qumësht nga importi se sa ta blejnë atë nga fermerët vendas.”– Klodian Tomorri, gazetar ekonomie. 

Në këto kushte, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit në Shqipëri parashikon një vit të vështirë për blegtorinë.  

“Nëse blegtoria nuk do të marrë buxhetin e duhur si në rajon dhe skemat e subvencionimit të jenë të orientuara drejt prodhimit, atëherë edhe në vitin 2024, numri i krerëve do të ulet, duke sjellë për pasojë edhe rënie të sasisë së prodhuar të qumështit.” – Shoqata e Përpunuesve të Qumështit. 

Përpunuesit shohin zgjidhje tek ndryshimet e poltikave fiskale, pasi siç pohojnë ata, po rritet presioni nga importi në dëm të prodhimit vendas.

Tregun e mbyt importi
Teksa blegtoria prej vitesh ka marrë tatëpjetën, tregun vendas po e ‘mbyt’ importi. Vitin e kaluar Shqipëria bleu 31 mijë ton bulmet nga jashtë. Vit pas viti, prodhimi vendas po zëvendësohet nga ai i huaj.

Ky tregues, sipas profesor Ndoc Fasllisë, duhet të jetë këmbanë alarmi për çdo qeveri.

“Në një vend si Shqipëria, ku popullsia rezidente është pakësuar, pra numri i konsumatorve është ulur, importet e ushqimeve vazhdojnë të rriten….!!!  Pse ndodh kjo? Sepse është pakësuar prodhimi vendas, si rezultat i uljes së numrit të krerëve, por edhe si rezultat i braktisjes së fshatrave” – Ndoc Fasllia, Profesor në Univeristetin Bujqësor.

Një tjetër tregues shqetësues tek importet sipas ekspertëve është dhe rritja e importit të qumështit pluhur.

“Shqetësuese është sepse kemi arritur në pikën që qumështi pluhur po na zëvendëson qumështin. Dhe ndaj u ngritën në protesta blegtorët, sepse qumështi pluhur dhe ai i importit po mbyt prodhimin vendas për shkak të kostos më të lirë”, argumenton Profesor Abdyl Sinani. 

Të dhënat zyrtare tregojnë gjithashtu se vitin e kaluar në Shqipëri kanë hyrë edhe tonelata me vaj palme.

Eskpertë të sigurisë ushqimore thonë se rritja e importeve të vajit të palmës vit pas viti dikton nevojën e kontrolleve të rrepta mbi parametrat e tij, duke qënë se përdorimi pa kriter i këtij vaji përbën rrezik për shëndetin e konsumatorit. 

“Hapi i parë është kontrolli i cilësisë për vajin e palmës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të kontrollojë cilësinë e këtij produkti pa u futur në treg nëse është brenda parametrave të lejuar. Sepse nëse nuk përmbush parametrat kthehet në rrezik serioz për shëndetin e konsumatorit. Nga ana tjetër, bizneset që përdorin vaj palme e kanë për detyrë të shkruajnë në etiketë se sa është % vaj palme kanë përdorur, si në ëmbëlsira apo edhe në produkte bulmeti. Të gjitha produktet që kanë vaj palme”– Abdyl Sinani, profesor në Fakultetin e Bioteknologjisë Ushqimore. 

Në 2017, në Shqipëri u hap një debat i gjerë për përdorimin e vajit të palmës në produktet të bulmetit të prodhuara. Denoncimet e një emisioni investigativ për përdorimin e vajit të palmës pa kriter në produkte bulmeti vuri në lëvizje institucionet në vend. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, asokohe paralajmëroi marrjen e masave ndaj bizneseve që rezultonin me shkelje. 

Por fakt është se që nga koha e kësaj fushate e deri më sot nuk ka ndonjë rezultat konkret në këtë drejtim./Faktoje.al

vaj palme

Sondazh

Poll