Aktualitet

Gjykata Kushtetuese rrëzon pjesërisht ligjin për studentët: Kuvendi të ulë afatet brenda 3 muajve

Sipas gjykatës, duke iu referuar edhe vendeve të tjera, ky afat nuk duhet të tejkalojë gjysmën e viteve të studimit.

25 Janar 2024, 15:28 Nga I.A
Gjykata Kushtetuese rrëzon pjesërisht ligjin për studentët:
Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë pjesërisht ligjin e qeverisë shqiptare, e cila i detyronte studentët e mjekësisë që të punonin për një afat deri në 5 vite në Shqipëri në mënyrë që të marrë diplomën. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese theksohet se të gjitha nenet që kufizonin studentët e mjekësisë që pas diplomimit të largoheshin jashtë vendit, të zëvendësohen me afate të reja. Sipas gjykatës, duke iu referuar edhe vendeve të tjera, ky afat nuk duhet të tejkalojë gjysmën e viteve të studimit. Po ashtu thuhet se Kuvendi ka 3 muaj kohë që të vendosi afate të reja në vendimin për studentët e mjekësisë.  

“Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që  të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.

Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit. Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Gjykata Kushtetuese rrëzon pjesërisht ligjin për studentët:
Vendimi

Qeveria shqiptare prezantoi në muajin korrik projektligjin që ka si synim frenimin e largimit të bluzave të bardha, i cili parashikon që studentët të cilët nisin këtë vit Universitetin për Mjekësi, do të duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri, e më pas ta pajisen me diplomë. Sipas qeverisë, ky projektligj është hartuar me synimin që t’i sigurojnë shqiptarëve mjekë për vitet e ardhshme dhe për të përballuar sfidën e kohës, largimin e të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Europian.

studentet e mjeksise gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll