Aktualitet

Reshjet e dëborës në Fushë Arrëz/ Situata vijon të jetë e vështirë, disa makina mbeten të bllokuara

Gjithashtu rrugët që lidhin fshatrat me qendrat administrative janë të bllokuara. Mësohet se vijon edhe mungesa me furnizim të energjisë elektrike në disa fshatra.

20 Janar 2024, 19:48 Nga r.ll
Reshjet e dëborës në Fushë Arrëz/ Situata vijon të
foto ilustruese

FUSHË ARRËZ- Teksa i gjithë vendi ka që në mëngjes nën pushtetin e dëborës, reshjeve të shiut dhe temperaturave të ulëta, situata paraqitet shumë problematike në Fushë Arrëz. 

Raportohet se në aksin rrugor të Iballes janë bllokuar edhe 5 automjete të tjera, përveç atyre që ishin më herët. Një fadromë dhe foristradë janë nisur për ndihmë. Gjithashtu rrugët që lidhin fshatrat me qendrat administrative janë të bllokuara, nga dëbora, trashësia e së cilës ka shkuar 1 metër. Mësohet se vijon edhe mungesa me furnizim të energjisë elektrike në disa fshatra. Momentalisht reshjet e dëbores kanë pushuar.

Më herët pasditen e sotme, në një prononcim për Top Channel, kryebashkiaku Hil Curri, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe bëri apel për ndihmë, pasi sipas tij për shkak të bllokimit nga bora, rrezikohen jetë njerëzish.

“Bashkia Fushë Arrëz ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Janë dy njësi administrive Iballë dhe Fierzë të bllokuara. Gjendja është jashtëzakonishtë e rëndë. Kërkojmë ndërjyrje sa më shpejt të jetë e mundur pasi rrezikohen edhe jetë njerëzish”-u shpreh kryebashkiaku Hil Curri.

Sipas kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit janë në total 12 fshatra totalisht të bllokuar, ndërsa mjetet e pastrimit kanë mundur të mbërrijnë deri në Iballë. Në fshatrat e izoluar nga bora mungon energjia elektrike, ndërsa është e pamundur edhe ndërhyrja me helikopter.

Në Iballë, aty ku janë bllokuar dhjetëra mjete në rrugë ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Mikel Qafa.

“Jemi në aksin Fushë Arrëz e Madhe, jemi në një situatë alarmante. Bashkia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme sepse reshjet e borës janë deri mbi një metër lartësi dhe kemi thuajse dy ditë pa energji elektrike. Po presim të riparohet por vështirë. Me mjetet që ka në dispozicion bashkia po përpiqemi të bëjmë maksimumin, por është shumë e vështirë sepse kemi nevojë për mjete më të mëdha dhe më të mira. Të shpresojmë për më mirë. Përpos reshjeve të dëborës kemi edhe erëra të forta që po fryjnë nga veriu kryesisht, kemi makina të bllokuara për disa kilometra këtu”- shprehet Qafa.

Reshjet kanë qenë intensive në të gjithë qarkun e Shkodrës. Aksi Bogë-Qafë Thore, raportohet të jetë i bllokuar, duke izoluar kështu fshatin turistik të Thethit. Ndërsa rruga e Vermoshit kalohet vetëm me zinxhirë. E kalueshme me zinxhirë është edhe rruga nacionale Pukë – Fushë Arrëz – Mirditë.

moti i keq ne vend

Sondazh

Poll