Bota

Opozita në Kosovë kërkon uljen e tarifave për energjinë elektrike

Ferat Shala, nga Partia Demokratike e Kosovës, që prezantoi draft-rezolutën pesëpikëshe të kësaj partie dhe dy subjekteve të tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se çmimet e rrymës janë “të papërballueshme” për qytetarët.

18 Janar 2024, 12:08 Nga M.B
Opozita në Kosovë kërkon uljen e tarifave për energjinë
Një poç elektrik gjatë një proteste në Prishtinë kundër shtrenjtimit të rrymës

KOSOVA- Përmes një draft-rezolute, tri partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar uljen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë. Ferat Shala, nga Partia Demokratike e Kosovës, që prezantoi draft-rezolutën pesëpikëshe të kësaj partie dhe dy subjekteve të tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se çmimet e rrymës janë “të papërballueshme” për qytetarët.

“Kjo rritje e çmimit është e papërballueshme. Prandaj, duhet zbritur kjo tarifë sepse energjia përfshihet në grupin e produkteve të nevojshme për konsum si buka, kripa, uji, vaji etj. Prandaj, edhe çmimi duhet të bëhet i përballueshëm”, tha Shala gjatë seancës së jashtëzakonshme plenare më 18 janar. Sipas Shalës, për dy vjet, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) dhe Qeveria e Kosovës, shtrenjtuan çmimet e rrymës.

Përmes draft-rezolutës, po kërkohet që ZRRE-ja dhe Qeveria të ulin çmimin e energjisë “në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar”. Po ashtu aty kërkohet të bëhet anulimi i bllok-tarifës për konsumatorët familjarë. Ndërkaq, nga Qeveria kërkohet që të ndërmarrë masa, për “krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike”. Mimoza Kusari-Lira, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, tha se ekzekutivi po punon për gjetjen e zgjidhjes për situatën në sektorin energjetik. Megjithatë, ajo kritikoi draft-rezolutën e opozitës.

“Rezoluta e prezantuar nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes. Kjo nuk është risi në vetvete, pasi zgjidhjet që i keni ofruar në vazhdimësi kanë qenë seancat e jashtëzakonshme për gjendjen në sektorin e energjisë, komisione hetimore për sektorin e energjisë. Ndërkaq, në vazhdimësi keni abstenuar në votime në vendimmarrje në zhvillimin e politikave në sektorin e energjisë”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të përkrahë këtë rezolutë.

Tarifat e fundit të energjisë janë miratuar prillin e vitit të kaluar. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovate në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovate, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh. Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë./ REL

kosova energjia elektrike

Sondazh

Poll