Bota

Gjashtë vite nga vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç, ngjarja vijon të jetë mister

Ivanoviç, i cili kishte themeluar dhe po drejtonte Iniciativën Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, subjekt ky kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut, u vra më 16 janar të vitit 2018 me 6 të shtëna në shpinë para zyrës së partisë tij.

16 Janar 2024, 08:40 Nga M.B
Gjashtë vite nga vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç, ngjarja
Oliver Ivanoviç

KOSOVA- Tashmë kanë kaluar 6 vite që nga vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, ndërkohë rrethanat dhe autorët mbeten ende mister.

Ivanoviç, i cili kishte themeluar dhe po drejtonte Iniciativën Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, subjekt ky kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut, u vra më 16 janar të vitit 2018 me 6 të shtëna në shpinë para zyrës së partisë tij.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen e Ivanoviçit, ku e para ishte ngritur më 2 dhjetor të vitit 2019. Më 30 dhjetor, prokurori i atëhershëm, Sylë Hoxha kishte paraqitur aktakuzën e dytë, të ndryshuar, në bazë të së cilës u mbajt një seancë parapake më 11 shkurt, 2020.

Në këtë gjykim, të akuzuarit Nedeljko Spasojeviç, Marko Roshiç, Rade Basara, Silvana Arsoviç, Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç u deklaruaN të pafajshëm për akuzat kundër tyre, ndërsa tre të akuzuarit e mbetur, Zvonko Vesellinoviç, Milan Radoiçiç dhe Zhelko Bojiç, ishin në arrati.

Ndërkaq, një aktakuzë e tretë është ngritur në nëntor të vitit 2020, pasi Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte hedhur poshtë aktakuzën e dytë të Prokurorisë Speciale, pas kërkesës së palës mbrojtëse, të cilët apeluan vendimin. Më 4 dhjetor, 2020, u vendos që seanca të shtyhet për një javë për arsye procedurale dhe më 11 dhjetor u shty sërish për një kohë të pacaktuar.

Përveç në Kosovë, hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviçit janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria Speciale e Serbisë, por atje hetimet nuk kanë shkuar më larg se sa faza e hetimeve paraprake.

kosova serbia oliver ivanovic

Sondazh

Poll