Bota

Forumi ekonomik në Zvicër, BE konfirmon: S'do ketë takim Kurti-Vuçiç

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar shkurt se nuk do të ketë takim dialogu në Davos.

13 Janar 2024, 12:36 Nga M.B
Forumi ekonomik në Zvicër, BE konfirmon: S'do ketë takim
Kuti, Lajçak, Borrell dhe Vuçiç

KOSOVA- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë javën e ardhshme në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. Lidhur me këtë ngjarje, zyra e tij njofton se sa i përket agjendës së kryeministrit ajo ende nuk është finale.

“Kryeministri Kurti do të marrë pjesë javën e ardhshme në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër. Sa i përket agjendës së kryeministrit atje, ajo ende nuk është finale, andaj dhe për takimet të cilat do të zhvillohen në margjina të forumit do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar shkurt për KOHA.net se “nuk do të ketë takim dialogu në Davos”.

Kurti e Vuçiç për herë të fundit janë takuar në shtator të vitit të kaluar në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Takimi përfundoi pa ndonjë rezultat, ndërsa palët akuzuan njëra-tjetrën për dekonstruktivitet. Nga ana e qeverisë së Kosovës thonë se asnjëherë nuk kanë refuzuar takime në kuadër të dialogut, por se rrjedhën e procesit e ka ndikuar sulmi në Banjskë.

“Kryeministri Kurti më 22 dhjetor të vitit të kaluar ka renditur shtatë pika drejt normalizimit të marrëdhënieve në vitin 2024. Siç shënon në pikën e parë pas ngjarjes së 24 shtatorit, për ne ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet siguria e vendit dhe integriteti territorial i shtetit. Sepse Serbia është deklaruar haptazi se nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës dhe në të njëjtën kohë autorët dhe pjesëmarrësit në atë sulm vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi dhe me motive të larta hakmarrëse. Ne jemi të bindur që Bashkimi Evropian duhet të përdorë autoritetin e tyre për të siguruar se ngjarjet si ajo e 24 shtatorit të mos përsëritet. E kjo arrihet duke e dënuar Serbinë me sanksione për përfshirjen e saj në atë sulm dhe për motive e saj destablizuese, dhe duke i kërkuar asaj ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë për t'u përballur me drejtësisë këtu, sipas pikës së dy dhe tre të shtatë pikëshit të Kryeministrit”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu.

Forumi Ekonomik në Davos të Zvicrës do të nisë më 15 janar dhe do të zgjasë katër ditë, derisa “Rindërtimi i besimit” është motoja e edicionit të 54-t të tij.

kosova serbia be

Sondazh

Poll