Bota

Sulmet ushtarake ndaj Houthi-t nuk do ta frenojnë Iranin

Që në fillim të këtij muaji Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë nisur një operacion ushtarak për të dobësuar fuqinë e rebelëve Houthi në Jemen duke frenuar kësisoj edhe ambiciet e tyre në rajon.

13 Janar 2024, 11:22 Nga Jason M. Brodsky
Sulmet ushtarake ndaj Houthi-t nuk do ta frenojnë Iranin
Sulmet

Nga Jason M. Brodsky “The Spectator”

Deri një muaj përpara vrasjes së komandantit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) Qassem Soleimani në janarin e vitit 2020, pak njerëz mund ta kishin pritur që qeveria amerikane ta eliminonte atë me një sulm specifik me dron.

Që në fillim të këtij muaji Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë nisur një operacion ushtarak për të dobësuar fuqinë e rebelëve Houthi në Jemen duke frenuar kësisoj edhe ambiciet e tyre në rajon. Mbrëmjen e së enjtes ata ndërmorën sulme kundër dhjetëra  objektivash në Jemen. Kështu shpërthime u raportuan në kryeqytetin Sanaa, në portin Hudaydah në Detin e Kuq, në Dhamar si dhe bastionin veriperëndimor të Houthi-ve, Saada.

Kjo milici është e mirë-armatosur dhe financohet nga IRGC-ja iraniane. Ajo ka shënjestruar ditët e fundit anijet tregtare në ngushticën Bab al-Mandeb, një pikë nevralgjike globale. Por operacionit ushtarak të SHBA-së i mungoi shpejtësia, fshehtësia dhe befasia që solli vdekjen e Soleimanit 4 vite më parë.

Dhe kjo gjë rrezikon të minojë vetë frenimin që Uashingtoni dhe Londra shpresojnë të arrijnë me sulmet e tyre. Strategët ushtarakë dhe vendimmarrësit në Iran, kanë synuar prej kohësh ta rrethojnë Izraelin në një ‘unazë zjarri’. Operacioni “Al-Aksa Flood” i Hamasit më 7 tetor dhe reagimi që pasoi nga boshti i rezistencës i IRGC-së, i përbërë nga milici si Hamasi, Hezbollahu dhe Houthi, përfaqësonte zbatimin e parë në shkallë të gjerë të kësaj doktrine. Teherani i ka tërhequr fijet nga pas. Pra gjithçka që është parë muajt e fundit ka qenë si një orkestër, me milicitë si lojtare dhe Gardën Revolucionare si dirigjent.

Por përgjigja nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj ka qenë e dobët. Por përgjigjet “proporcionale”, siç u përshkrua edhe fushata e sulmeve të së enjtes, nuk i kanë ndalur dot sulmet. Qeveria amerikane ka synuar të parandalojë përshkallëzimin e situatës. Por sinjalizimi i administratës Biden se nuk është e interesuar të zgjerohet konflikti në Gaza, nuk është përputhur me mënyrën e veprimit të IRGC-së, që zakonisht lufton në disa zona njëherazi nëpërmjet palëve të treta.

Përpjekjet e Uashingtonit për të ulur tensionet përmes mos-reagimit ndaj një sërë provokimesh - të cilat kanë variuar nga sulmet ndaj forcave amerikane në Irak dhe Siri, deri tek sulmet ndaj anijeve ndërkombëtare deri të enjten - kanë nxitur një përshkallëzim më të madh nga boshti i rezistencës.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, është në pushtet që nga viti 1989, duke kaluar gati 6 presidentë amerikanë. Presidenti Joe Biden e ka treguar veten si një kundërshtar i parashikueshëm. Ndërsa ai udhëroi vendosjen e mjeteve të avancuara detare në Lindjen e Mesme dhe paralajmëruar kundërshtarët, udhëheqja iraniane nuk është impresionuar dhe as ka dyshuar në vullnetin e Biden, për t'i përdorur ato kundër objektivave strategjikë me rëndësi për vendin.

Kjo gjë e ka inkurajuar Khamenein të zgjerojë konturet e fushës së betejës rajonale, megjithëse është ende nën pragun e asaj që do të shkaktonte një luftë të drejtpërdrejtë midis Uashingtonit dhe Teheranit. Kjo gjë po ndodh sepse Shtetet e Bashkuara shpesh shfaqen më shumë të frikësuara nga Republika Islamike e Iranit sesa kjo e fundit nga Shtetet e Bashkuara.

Irani dhe rrjeti i tij më i gjerë i milicive mbështetëse në rajon e kanë ndjerë prej kohësh ngurrimin e Amerikës për të përdorur forcën në mbrojtje të interesave të saj. Diskutimet e ngadalta nëse Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin sulme kundër Houthi-t, pasuan vendimi aktual për disa sulme të izoluara. Dekonspirimi i sulmeve - veçanërisht nga mediat britanike ditët e fundit - e ka inkurajuar gjithashtu Houthi-t dhe IRGC që të zhvendosin arsenalin e tyre të armëve dhe personelin më të rëndësishëm në zona që janë jashtë rrezikut.

Këtu përfshihen Forcat Quds të IRGC-së, stacionet e personelit në Jemen, dhe kryesisht Abdul Reza Shahlai, një komandant i lartë me bazë në Sanaa. IRGC, duke parashikuar veprimet perëndimore, lëvizi gjithashtu anijen e saj spiune Behshad, e cila ka transferuar inteligjencë tek Houthis për të drejtuar shënjestrimin e tyre të anijeve në ujërat ndërkombëtare. Kjo e minoi sigurinë operacionale.

Dhe kjo ngre pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e fushatës ushtarake amerikane të nisur të enjten. Problemi nuk qëndron vetëm tek numri i sulmeve, por tek cilësia e objektivave, përkatësisht rëndësia e tyre për Houthi-t dhe udhëheqjen iraniane. Strategjia mbrojtëse e Iranit, bazohet në përdorimin e milicive mbështetëse të saj dhe partnerëve të tjerë për të penguar një sulm në territorin iraniane nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Khamenei do të luftojë deri në luftëtarin e fundit të Houthi-t.

Por ai nuk ka gjasa të rrezikohej me përdorimin e hapur të forcave të tij, sepse ai e di se një konflikt i tillë me ushtrinë amerikane dhe aleate do të rrezikonte destabilizimin e regjimit të tij. Khamenei ka qenë këto kohë i vetëkënaqur për shkak të mosinteresimit të Biden për t’u përballur me forcë me Teheranin. Kjo mund të shihet edhe në deklaratën e fundit të presidentit amerikan që njoftoi sulmet ndaj Houthi-t. Në këtë deklaratë nuk përmendet askund Iranin apo IRGC-në. Por Houthi-t nuk do të kishin këtë famë sa i përket fuqisë së tyre pa ndihmën e Iranit. Ndaj ky ngurrim ka të ngjarë të bëjë shumë përshtypje në korridoret e pushtetit në Iran.

Realiteti është se për të frenuar në mënyrë efektive udhëheqjen iraniane, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të duhet të godasin objektiva që kanë shumë rendësi për teokracinë. Dhe këtu përfshihen bazat e IRGC-së në Iran dhe komandantët e IRGC-së në rajon.

Liderët në Uashington mund të nxjerrin mësime nga përvoja e Izraelit (dhe në raste të kufizuara edhe nga historia e tyre) në eliminimin e objektivave me peshë gjatë viteve, pa shkaktuar një luftë rajonale. Tre shembuj të tillë janë zyrtarët e lartë të IRGC-së Mohsen Fakhrizadeh, Hassan Sayyad Khodaei dhe Razi Mousavi.

Nuk pati asnjë luftë rajonale edhe pasi u vra gjenerali Qassem Soleimani, një figurë me rëndësi të madhe për regjimin, pavarësisht parashikimeve apokaliptike që u bënë në atë kohë. Nëse vazhdon dhuna, presidenti Biden duhet të konsiderojë të bëjë diçka jashtë karakterit të tij për ta tronditur sistemin iranian nga gjendja e vetëkënaqësisë ku ndodhet. Tek e fundit, nuk do të jetë vetëm Khamenei, por edhe presidenti kinez Xi Jinping dhe ai rus Vladimir Putin ata që do të mbajnë shënime mbi sjelljen aktuale të SHBA-së.

Shënim:Jason M.Brodsky, drejtor i Politikave të Përbashkëta kundër Iranit Bërthamor (UANI) dhe bashkëpunëtor në Programin e Iranit në Institutin e Lindjes së Mesme.

houthi jason m. brodsky qassem soleimani

Sondazh

Poll