Bota

Kryepeshkopi i Maltës e thotë hapur: Kisha katolike duhet të lejojë martesën e priftërinjve

Në një intervistë për The Times of Malta, kryepeshkopi, i cili mban edhe një detyrë shumë të rëndësishmë në Vatikan, tha se është koha për të diskutuar seriozisht çështjen dhe të merren vendime, duke shtuar se ai tashmë ka folur hapur për këtë në Vatikan.

7 Janar 2024, 21:45 Nga A.TH
Kryepeshkopi i Maltës e thotë hapur: Kisha katolike duhet të
Charles Scicluma

ITALI- Kryepeshkopi i Maltës Charles Scicluma kërkoi nga Vatikani që të rishikojë rregullat për t'u lejuar priftërinjve katolikë mundësinë për t'u martuar,

Në një intervistë për The Times of Malta, kryepeshkopi, i cili mban edhe një detyrë shumë të rëndësishmë në Vatikan, tha se është koha për të diskutuar seriozisht çështjen dhe të merren vendime, duke shtuar se ai tashmë ka folur hapur për këtë në Vatikan.

"Kjo është ndoshta hera e parë që po e them publikisht dhe do të tingëllojë heretike për disa njerëz. Pse duhet të humbasim një të ri që do të ishte bërë një prift të mirë, vetëm sepse donte të martohej? Dhe ne humbëm priftërinjtë e mirë vetëm sepse ata zgjodhën martesën,” tha ai.

Rregulli shekullor mbi beqarinë priftërore është debatuar publikisht për dekada, por autoritetet lokale të Kishës, deri më tani, e kanë mbrojtur gjithmonë atë, duke këmbëngulur se jeta e një prifti duhet t'i kushtohet ekskluzivisht Kishës dhe komunitetit të tij.

Scicluna pranoi se beqaria ka ende dhe do të vazhdojë të ketë një vend në Kishë, por tha se mësoi nga përvoja se priftërinjve duhet t'u jepet gjithashtu mundësia për t'u martuar, ashtu si në kishat katolike orientale. Kryepeshkopi vuri në dukje se për shkak të këtyre rregullave ka priftërinj që dashurojnë, krijojnë lidhje të fshehta e madje kanë edhe fëmijë.

“Ky është një realitet global; nuk ndodh vetëm në Maltë. Ne e dimë se ka priftërinj në mbarë botën që gjithashtu kanë fëmijë dhe mendoj se ka nga ata në Maltë që mund të kenë gjithashtu”, tha ai.

Kisha Katolike Romake në ritin e saj latin është e vetmja fe e krishterë që kërkon nga të gjithë priftërinjtë e saj të jenë beqarë, të përmbahen nga martesa dhe marrëdhëniet seksuale. Por nuk ishte gjithmonë kështu. Për mijëvjeçarin e parë pas vdekjes së Jezusit, priftërinjtë në përgjithësi lejoheshin të martoheshin dhe të kishin fëmijë.

Ishte në shekullin e 12-të që Kisha vendosi përfundimisht rregullin. Scicluna është një figurë e respektuar në Vatikan dhe ai thirret shpesh nga Papa për të marrë mendime e për të nisur hetime për çështje të ndryshme.

charles scicluma

Sondazh

Poll