Bota

Përmbytjet apokaliptike në Australi: Aeroporti i zhytur në ujë dhe krokodilët që shihen rrugëve, mijëra njerëz evakuohen

Kreu i Queensland, Steven Miles i tha Korporatës Australiane të Transmetimeve se kjo fatkeqësi natyrore ishte më e keqja që mund të kujtojë.

18 Dhjetor 2023, 08:47 Nga r.ll
Përmbytjet apokaliptike në Australi: Aeroporti i zhytur në
foto nga permbytjet

AUSTRALI- Përmbytjet në veri të Queensland në Australi kanë bërë që një qytet i tërë të evakuohet dhe mijëra njerëzit të mbeten të bllokuar në atë që autoritetet presin të jetë përmbytja më e keqe ndonjëherë në rajonin australian.

Moti ekstrem i nxitur nga një ciklon tropikal ka sjellë reshje të mëdha shiu në vend. Imazhet tregojnë aeroplanë të zhytur në aeroportin e Cairns, një krokodil që shihet në mes të një qyteti dhe njerëz që ikin me varka. Deri më tani nuk është raportuar për persona të vdekur apo të zhdukur. Reshjet intensive pritet të vazhdojnë edhe për 24 orë të tjera, shkruan BBC.

Qindra njerëz janë shpëtuar, shumë shtëpi janë përmbytur, energjia elektrike është ndërprera dhe uji i pijshëm po pakësohet. Kreu i Queensland, Steven Miles i tha Korporatës Australiane të Transmetimeve se kjo fatkeqësi natyrore ishte më e keqja që mund të kujtojë.

Ai tha se shqetësimi i menjëhershëm ishte sigurimi i atyre që janë bllokuar në ujërat në rritje, si ata në qytetin e largët të Wujal Wujal, rreth 175 km në veri të Cairns.

Nëntë persona, përfshirë një fëmijë të sëmurë, e kaluan natën në çatinë e spitalit pasi ekuipazhet e urgjencës nuk mundën t’i arrinin. Grupi të hënën u zhvendos në një vend tjetër, por Miles tha se i gjithë qyteti tani do të duhej të evakuohej.

Sinoptikanët thanë se shiu i rrëmbyeshëm do të vazhdojë për pjesën më të madhe të së hënës dhe do të përkojë me një baticë të lartë, duke intensifikuar ndikimin në komunitetet e ulëta.

Ndërkohë që reshjet e shiut pritet të fillojnë të pakësohen të martën, lumenjtë nuk kanë arritur ende kulmin dhe do të mbeten të fryrë për ditë të tëra. Disa lumenj pritet të thyejnë rekordet e vendosura gjatë një ngjarjeje të madhe përmbytjeje në vitin 1977. Lumi Daintree, për shembull, ka tejkaluar tashmë rekordin e mëparshëm me 2 metra, pasi mori 820 mm shi në 24 orë. Zyrtarët shtetërorë vlerësojnë se bilanci i katastrofës do të arrijë në 1 miliard dollarë Australianë (529,000 £; 670,000 dollarë).

Australia Lindore është goditur nga përmbytje të shpeshta vitet e fundit dhe vendi tani po përballet me një ngjarje moti El Nino, e cila zakonisht shoqërohet me ngjarje ekstreme si zjarret dhe ciklonet.

Australia është përballur një sërë fatkeqësish në vitet e fundit, thatësira e rëndë dhe zjarre historike, vite të njëpasnjëshme përmbytjesh rekord dhe gjashtë ngjarje masive zbardhjeje në Barrierën e Madhe. Një e ardhme plot me fatkeqësi përkeqësuese pritet nëse nuk ndërmerren veprime urgjente për të ndalur ndryshimet klimatike, paralajmëron raporti i fundit i Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC).

permbytjet ne australi

Sondazh

Poll