Aktualitet

Baza e grupeve kriminale në Fushë Kuqe, dëshmia e Lulashit: Blej dhe shes, s’kam lidhje me bandat

40-vjeçari është shprehur para grupit hetimor se prej shumë vitesh blinte dhe shiste sende të ndryshme, por duke mohuar të ketë lidhe me grupe kriminale.

6 Dhjetor 2023, 08:52 Nga A.B
Baza e grupeve kriminale në Fushë Kuqe, dëshmia e Lulashit: Blej
Momenti i arrestimit

LEZHË- Aleks Lulashi, pronari i shtëpisë e cila ishte kthyer në bazë furnizimi me mjete për grupet kriminale me qëllim kryerjen e krimeve, ka pranuar posedimin nga ana e tij të sendeve të gjetura brenda banesës në fshatin Gurez të Njësisë Administrative Fushe-Kuqe në Kurbin.

40-vjeçari është shprehur para grupit hetimor se prej shumë vitesh blinte dhe shiste sende të ndryshme, por duke mohuar të ketë lidhe me grupe kriminale. Policia nën drejtimin e prokurorisë së Lezhës nuk ka arritur ende të identifikojë personat për llogari të të cilëve posedoheshin këto mjete/sende dhe që ishin bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Aparati celular i Aleks Lulashit i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale do të ekzaminohet për të parë komunikimet që mund ketë patur 40-vjeçari, çka mund të ndihmojë në zbulimin e personave që ai bashkëpunonte.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 1 automjet tip "Mazda", me ndërhyrje dhe me dëmtime në strukturën e tij, për të pamundësuar përcaktimin e të dhënave të automjetit, 5 motomjete me fuqi të lartë motorike, të dyshuar të vjedhur, 4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të dyshuara të vjedhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë. Po ashtu u sekuestrua edhe 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës, e gatshme për shpërthim, kapuçë si maska, doreza dhe skafanda motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

40-vjeçari Aleks Lulashi do të përballet me disa akuza si "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje", "Trafikim i mjeteve motorike", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe "Vjedhja"./Dosja.al

aleks lulashi

Sondazh

Poll