Bota

NYT: Izraeli ishte në dijeni prej një viti për sulmin e Hamasit, por e injoroi si të parealizueshëm

Dokumenti afërsisht 40 faqesh, të cilin autoritetet izraelite e koduan me emrin "Muri i Jerikos", përshkruan, pikë për pikë, pikërisht llojin e pushtimit shkatërrues që çoi në vdekjen e rreth 1200 njerëzve.

1 Dhjetor 2023, 17:56 Nga A.TH
NYT: Izraeli ishte në dijeni prej një viti për sulmin e Hamasit,
Tank

SHBA- Udhëheqësit izraelitë morën planin e betejës së Hamasit për sulmin e 7 tetorit më shumë se një vit para se të ndodhte. New York Times shkruan në bazë të dokumenteve, emaileve dhe intervistave, duke shtuar se udhëheqësit e ushtrisë dhe ushtarakëve të inteligjencës izraelite e hodhën poshtë planin si ambicioz, duke e konsideruar si shumë të vështirë për lëvizjen ekstremiste.

Dokumenti afërsisht 40 faqesh, të cilin autoritetet izraelite e koduan me emrin "Muri i Jerikos", përshkruan, pikë për pikë, pikërisht llojin e pushtimit shkatërrues që çoi në vdekjen e rreth 1200 njerëzve. Dokumenti i përkthyer, i shqyrtuar nga NYT, nuk caktoi një datë për sulmin, por përshkruante një sulm metodik të krijuar për të shkatërruar fortifikimet rreth Rripit të Gazës, për të marrë kontrollin e qyteteve izraelite dhe për të sulmuar bazat kryesore ushtarake, duke përfshirë selinë e një divizioni. Hamasi, sipas gazetës, e ka ndjekur projektin me saktësi tronditëse.

Dokumenti parashikonte një breshëri raketash në fillim të sulmit, dronët për të çaktivizuar kamerat e sigurisë dhe mitralozat automatikë përgjatë kufirit, dhe njerëz të armatosur që derdheshin në Izrael masivisht me paragliderë, motoçikleta dhe në këmbë, të gjitha këto ndodhën më 7 tetor. Plani përfshinte gjithashtu detaje mbi vendndodhjen dhe madhësinë e forcave ushtarake izraelite, qendrave të komunikimit dhe informacioneve të tjera të ndjeshme, duke ngritur pyetje se si Hamasi mblodhi informacionin e tij dhe nëse kishte rrjedhje brenda institucionit të sigurisë.

Dokumenti, shkruan NYT, qarkulloi gjerësisht midis udhëheqësve të ushtrisë dhe inteligjencës izraelite, por ekspertët përcaktuan se një sulm i asaj shkalle dhe ambicieje ishte përtej aftësive të Hamasit. Është e paqartë nëse dokumenti është parë edhe nga kryeministri Benjamin Netanyahu apo udhëheqës të tjerë të mëdhenj politikë. Vitin e kaluar, menjëherë pas marrjes së dokumentit, zyrtarë nga divizioni i ushtrisë izraelite në Gaza, përgjegjës për mbrojtjen e kufirit me Rripin, thanë se qëllimet e Hamasit ishin të paqarta.

“Nuk është ende e mundur të përcaktohet nëse plani është pranuar plotësisht dhe si do të materializohet”, thuhet në një vlerësim ushtarak të rishikuar nga gazeta. Më pas korrikun e kaluar, vetëm tre muaj para sulmeve, një analist veteran nga Njësia 8200, agjencia e inteligjencës së sinjaleve të Izraelit, paralajmëroi se Hamasi kishte kryer një stërvitje intensive një ditore që dukej e ngjashme me atë që përshkruhej në plan. Por një kolonel në divizionin e Gazës hodhi poshtë shqetësimet e tij, sipas emaileve të koduara të para nga NYT.

"Unë absolutisht e mohoj që skenari është imagjinar. Është një plan i krijuar për të nisur një luftë, nuk është thjesht një inkursion në një fshat" u përgjigj analisti në shkëmbimet e postës elektronike. Stërvitja e Hamasit, vuri në dukje ai, korrespondonte plotësisht me përmbajtjen e planit të Murit të Jerikos.

nytimes lufta izrael-palestine

Sondazh

Poll