Aktualitet

Forumi për trafikun e drogës, Zagani: Dy mënyra transporti nga Shqipëria, institucionet janë të kapura nga trafikantët

I ftuar në këtë diskutim ka qenë dhe ish-shefi i Antidrogës në Shqipëri, Dritan Zagani, i cili ka treguar rrugët dhe drogërat që kalojnë përmes Shqipërisë.

30 Nëntor 2023, 20:27 Nga I.A
Forumi për trafikun e drogës, Zagani: Dy mënyra transporti nga
Dritan Zagani

TIRANË- Ështe mbajtur disa ditë më parë një dsikutim mbi trafikun e drogës në Evropë dhe botë nga "Disruption Network Lab". I ftuar në këtë diskutim ka qenë dhe ish-shefi i Antidrogës në Shqipëri, Dritan Zagani, i cili ka treguar rrugët dhe drogërat që kalojnë përmes Shqipërisë. Zagani u shpreh se trafiku i drogës konsiston në dy raporte të ndryshme. E para është kultivimi i kanabisit, që sipas Zaganit është mënyra më e lehtë për të trafikuar drogë nga Shqipëria, pasi prodhohet në vendin tonë.

"Trafiku i drogës në vendin tim, konsiston në dy raporte të ndryshme. E para, ajo që prodhohet në vendin tim, kanabisi, nuk luftohet më nga shteti dhe është e lehtë që të kultivohet dhe gjendet. Kjo është mënyra më e lehtë, pasi prodhohet direkt për transport. Për ta transportuar ka dy rrugë, nga deti dhe nga toka. Nga deti, bëhet nëpërmjet Shqipërisë dhe Italisë, që është rrugë shumë e lehtë dhe shumë e shpejt. Pasi në një ose më shumë orë, mund të transportohen me tonelata drogë në Itali. Dhe pastaj bëhet shpërndarja nga Italia për në Evropë dhe është e lehtë, për shkak se  nuk ka më kufi. Mënyra e dytë është nga toka, me kamion dhe ngarkesa të ndryshme", tha Zagani.

Ndërkohë që raporti i dytë është trafiku i drogërave të forta, siç janë heroina dhe kokaina. Sipas Zaganit, heroina vjen në vendin tonë nga vendet e lindjes, siç janë Turqia dhe Afganistani. Ndërkohë që kokaina nga vendet e Amerikës së Jugut dhe më pas shpërndahet në të gjithë Evropën. Po ashtu Zagani ka nxjerr një tjetër problematikë në Shqipëri, siç është mos respektimi i ligjit si dhe korruptimi i institucioneve nga trafikantët. 

"Shqipëria është kthyer qendra e Evropës për të transportuar drogëra të forta si kokaina dhe heroina. Heroina vjen nga vendet e lindjes dhe më pas hynë në Evropë nëpërmjet vendin tonë. Dhe transporti bëhet gjithmonë me anë të tokës me kamionë. Një problem tjetër i madh është edhe kokaina që vjen nga Amerika e Jugut, e cila është bërë e ardhura parësore për trafikantët shqiptarë. Sot trafikantët shqiptarë janë prezentë në të gjithë Amerikën e Jugut dhe Evropë. Ata kontrollojnë trafikun e drogës në mënyrë direkte dhe jo direkte, duke përgatitur ngarkesat me anijet tregtare. Kur kanë mundësi ata korruptojnë njerëz në portet më të mëdha në Evropë në Amerikën e Jugut por edhe në vendin tonë. Në vendin tonë është më e lehtë sepse trafikantët kanë mbështetjen e institucioneve ligjore. Trafikantët nuk kanë më probleme me ligjin në Shqipëri, sepse ata kontrollojnë çdo gjë. Ata e vendosin se kush do të jetë në krye të drogës dhe fundja fare janë në shtëpinë e tyre dhe bëjnë çfarë të duan. Ata sjellin ngarkesat pa asnjë problem," shtoi Zagani.

 

dritan zagani disruption network lab

Sondazh

Poll