Aktualitet

Vdekja e Lear Kurtit, Prokuroria e Tiranës pushon çështjen, nuk gjen shkelje nga policët

Kërkesa e prokurorisë së bashku me rezultatet e hetimit është dorëzuar në gjykatë.

28 Nëntor 2023, 12:48 Nga A.B
Vdekja e Lear Kurtit, Prokuroria e Tiranës pushon çështjen, nuk
Lear Kurti

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë e çështjes për vdekjen e 32 vjeçarit Lear Kurtit. Sipas hetimeve ka rezultuar se vdekja ka ardhur nga mbidoza e lëndës narkotike.

Prokuroria ka dalë në përfundimin se efektivët e policisë të cilët bënë shoqërimin e tij në komisariat, nuk kanë kryer shkelje. Kërkesa e prokurorisë së bashku me rezultatet e hetimit është dorëzuar në gjykatë.

Kujtojmë se në akt-ekspertizën për Kurtin, rezultoi se ai kishte vdekur nga mbidoza, pasi gëlltiti qesen me kokainë.

Pjesë nga akti i ekspertimit:

“Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike: Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent. Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”.

32-vjeçari dha shpirt duke u sorrollatur në duart e efektivëve të komisariatit nr.3 të Policisë së Tiranës. Ai u ndalua mbrëmjen e 19 tetorit 2023 nga efektivët dhe brenda 30 minutave ndërroi jetë. Por, moszbardhja e kësaj ngjarjeje vjen si pasojë e pretendimeve kontradiktore të palëve. Ekspertiza paraprake doli në përfundimin se s’ka pasur dhunë ndaj të riut, por që ka ndërruar jetë si pasojë e shpërthimit të kokainës që ka gëlltitur, ndërsa familjarët pretendojnë se është dhunuar nga policia. Një dëshmi e mikut të të riut te 'Piranjat' hidhte dyshimte të forta se Policia dhe AMP kanë mbuluar ngjarjen. I riu deklaroi se e kishte parë viktimën teksa rrihej barbarisht ndërsa akuzonte drejtorin e AMP, Ardi Veliu se e kishte "këshilluar" indirekt të mos pranonte dhunën që kishte parë me sytë e tij./Dosja.al

lear kurti

Sondazh

Poll