Aktualitet

“Duhet transparencë në Kuvend”/ Këshilli Ambasadorëve në Shqipëri reagim për refugjatët: Të dëgjojmë sugjerimet e BE-së

KASH thekson se marrëveshja duhet të jetë transparente dhe duhet bërë në përputhje me Kuvendin e Shqipërisë.

15 Nëntor 2023, 14:17 Nga h.k
“Duhet transparencë në Kuvend”/ Këshilli
Keshilli i ambasadoreve

TIRANË-Këshilli i Ambasadorëve të Shqipërisë ka reaguar ditën e sotme me një deklaratë zyrtare në lidhje me marrëveshjen e refugjatëve të publikuar disa ditë më parë nga kryeministrat e dy vendeve, Giorgia Meloni dhe Edi Rama. KASH thekson se marrëveshja duhet të jetë transparente dhe duhet bërë në përputhje me Kuvendin e Shqipërisë.

Nga ana tjetër ambasadorët kërkojnë që të shihen me përparësi sugjerimet e Bashkimit Europian në lidhje me çështjen. Në deklaratë thuhet gjithashtu se duhen trajtuar me kujdes të veçantë dhe të drejtat refugjatëve brenda territorit në përputhje me “Të drejtat e njeriut”. 

REAGIMI

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se Memorandumi i Mirëkuptimit (MoU) ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për zbarkimin dhe përpunimin e kërkesave për azil të refugjatëve që synojnë Italinë apo vende të tjera të Bashkimit Evropian, ka më tepër karakterin e një dokumenti politik dypalësh, në kuadër të marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona, se sa atë të një dokumenti që bazohet mbi të drejtën ndërkombëtare për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe, veçanërisht, të refugjatëve dhe azilkërkuesve.

Gjithsesi, KASH do të sugjeronte që kjo marrëveshje, e cila ka ngjallur mjaft interes e debat në opinionin publik, si dhe në funksion të transparencës, do të duhej paraprakisht të shqyrtohej/diskutohej në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. KASH është i prirur të besojë se vlera e këtij veprimi politik dypalësh, midis një vendi anëtar të BE-së, si Italia, dhe një vendi kandidat të BE-së, si Shqipëria, është qëllimmirë, por zbatimi i saj në praktikë, nëse do të ndodhë, duhet të jetë në përputhje të plotë me dokumentet dhe praktikat ndërkombëtare për këto çështje, duke respektuar, në radhë të parë, Deklaratën Universale për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut si dhe Kartën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, por njëkohësisht dhe Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Është e domosdoshme që refugjatëve që do t’i drejtohen territorit të Italisë, që përkon me teritorin e BE-së, tu mbrohet jeta dhe tu krijohen te gjitha kushtet e nevojshme për një trajtim të shpejtë, të barabartë dhe me dinjitet, siç e përcaktojnë dokumentet e rëndësishme dhe normat ndërkombëtare në fuqi.

keshilli i ambasadoreve te shqiperise marreveshja e refugjateve

Sondazh

Poll