Politike

“Të dhunuarat tërheqin paditë”, Balla: Duhet një strukturë mbrojtje dhe trajtimi financiar 

Balla ka thënë se duhet që të nxisim rastet kur të dhunuarat të denoncojnë dhe jo të tërheqin paditë nga frika.

2 Nëntor 2023, 21:26 Nga I.A
“Të dhunuarat tërheqin paditë”, Balla: Duhet një
Taulant Balla

TIRANË- Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka deklaruar se për të gjitha gratë dhe vajzat e dhunuar duhet një strukturë mbrojtje dhe trajtim financiar. I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në ABC News, Balla ka thënë se duhet që të nxisim rastet kur të dhunuarat të denoncojnë dhe jo të tërheqin paditë nga frika. Po ashtu, Balla ka theksuar se çdo rast dhune duhet denoncuar dhe ne duhet të koordinojmë të gjitha agjencitë shtetërore në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile.

"Kjo është e vërtetë, na duhet që ne jo vetëm të nxisim rastet kur vajza e gra të denoncojnë, por edhe duhet të ngremë një strukturë të fortë mbrojtje dhe trajtimi financiar dhe ekonomik të tyre. Ajo që thatë është e vërtetë, në fillim dhuna denoncohet dhe më pas edhe për shkaqe të natyrës familjare apo fisnore që ndërhyjnë tërhiqen dhe bien sërish pre e dhunës. Në fund korriku fillim gushti kemi patur dy raste, ku është dashur të ndërhyjë policia sepse është dhunuar bashkëshortja dhe djali dhe një rast tjetër, ku ish bashkëshortja për shkak të krimit në familje ka humbur jetën. Dhe në rastin e dytë, RENEA u desh të ndërhyjë se personi ishte i armatosur. Ajo që është e rëndë është fakti se një pjesë e caktuar e politikës, reagoi kundër Policisë për të mbrojtur individin që kishte kryer krimin dhe kishte qëlluar kundër policisë. Ndaj është shumë e rëndësishme që shoqëria sa i përket dhunës me bazë gjinorë, dhunës në familje duhet të jetë shumë e bashkuar. Çdo rast dhune duhet denoncuar dhe ne duhet të koordinojmë të gjitha agjencitë shtetërore në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile. Per shembull, në rastin e Vlorës, unë e falenderoj një pjesë të shoqërisë civile me të cilët kam komunikuar për t’i ofruar mbështetje edhe pse vendimmarrja e vajzës ka qenë që unë dua të vazhdoj jetën, por nga larg policia vijon të ndjekë të mbajë në monitorim se duam të garantojmë që ajo e vazhdon jetën në mënyrë normale," tha Balla.

taulant balla

Sondazh

Poll