Politike

Kërkon lirinë, Beleri: Çështja po mbahet peng, “harresa” me dosjen time është në kundërshtim me ligjin

Ai shkruan se këto zvarritje të pa precedent me pasoja shumë të rënda për Komunitetin e Himarës, zgjedhësit dhe banorët që presin ndryshimin në qeverisjen lokale, sipas tij po mbahet peng pa asnjë referencë ligjore.

29 Tetor 2023, 21:19 Nga r.ll
Kërkon lirinë, Beleri: Çështja po mbahet peng,
Fredi Beleri

HIMARË- Kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka reaguar nga burgu pasi nuk është lejuar që të kryejë betimin e tij si kryebashkiak. Beleri në reagimin e tij ka akuzuar Gjykatën e Lartë se po del në mbrojtje të të korruptuarve dhe se gjyqtari relator po mban peng çështjen.

Ai shkruan se këto zvarritje të pa precedent me pasoja shumë të rënda për Komunitetin e Himarës, zgjedhësit dhe banorët që presin ndryshimin në qeverisjen lokale, sipas tij po mbahet peng pa asnjë referencë ligjore.

Beleri shprehet se “harresa” me dosjen e tij, është në kundërshtim me parimet bazë në Kushtetutë ku Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit dhe populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë. Ai thotë se segmente të drejtësisë se janë vënë në shërbim të politikës dhe në mbrojtje të sistemit të korruptuar të qeverisjes lokale në Himarë.

POSTIMI I PLOTË: 

GJYKATA E LARTË NË MBROJTJE TË TË KORRUPTUARVE

Edhe pse kanë kaluar gati 30 ditë nga vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës që dërgoi për shqyrtim në Gjykatën e Lartë me qëllim interpretimin se cila është Gjykata kompetente për të shqyrtuar kërkesën time për tu pajisur me leje /autorizim të veçantë me qëllim kryerjen e betimit, nuk ka ende asnjë përgjigje apo datë gjykimi.

Ndonëse çështja është regjistruar në Gjykatën e Lartë në datën 16.10.2023 dhe kjo Gjykatë ka për detyrë të shprehet brenda 5 ditëve për të përcaktuar gjykatën kompetente që do të shqyrtojë kërkesën time për dhënien e lejes /autorizimit të veçantë për t’u betuar si Kryetar i Bashkisë Himarë, me indiferentizëm ekstrem, Gjyqtari Relator mban të bllokuar çështjen.

Këto zvarritje të pa precedent me pasoja shumë të rënda për Komunitetin e Himarës, zgjedhësit dhe banorët që presin ndryshimin në qeverisjen lokale, e shprehur kjo me vullnet të lirë nëpërmjet votës, po mbahet peng pa asnjë referencë ligjore.
Këta gjyqtarë që neglizhojnë afatet procedurale dhe deformojnë ligjin, për fat të keq të ndodhur edhe në majën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri si anëtarë të Gjykatës së Lartë, në fakt janë duke i zgjatur jetën Kryetarit të Bashkisë më të korruptuar dhe të urryer nga populli i Himarës në 30 vite pluralizëm.

Këto “harresa” me dosjen time, përfshirë këtu edhe vendimet e mëparshme krejtësisht absurde dhe te pa bazuara në ligj, në kundërshtim me parimet bazë të sanksionuara në Kushtetutë ku Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit dhe populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë, vendime që më kanë mohuar të drejtën që sovrani ma ka dhënë me votë, kanë vetëm një shpjegim: segmente të drejtësisë janë vënë në shërbim të politikës dhe në mbrojtje të sistemit të korruptuar të qeverisjes lokale në Himarë.

Dua t’ju kujtoj të gjithëve ju se kjo beteje ligjore nuk është për mua si individ e as për postin e Kryetarit të Bashkisë, por për Himarën, votën e lirë dhe demokracinë!

Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ndodhet pas hekurave për blerje të votave. Ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, ndërkohë që ende nuk ka mundur që të betohet, pasi nuk i është dhënë leje për të dalë nga burgu./Dosja.al

fredi beleri

Sondazh

Poll