Aktualitet

Kompleksi Partizani, avokatët e Berishës braktisin seancën gjyqësore: Nuk vazhdojmë pa u përjashtuar gjyqtarja Gjoka

Avokati Gjokutaj ka theksuar se materialet i kanë kërkuar në mënyrë që t'i dorëzojnë në Kushtetuese për të vendosur ligjshmërinë e masës së sigurisë ndaj Berishës.

25 Tetor 2023, 16:11 Nga I.A
 
Kompleksi Partizani, avokatët e Berishës braktisin seancën
Genc Gjokutaj

TIRANË- Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj ka braktisur seancën gjyqësore në GJKKO për kompleksin Partizani. Në një deklaratë për mediat, Gjokutaj ka deklaruar se ata kanë braktisur seancën, pasi GJKKO ka shkelur ligjin dhe nuk i kanë dhënë materialet që ata kanë kërkuar në lidhje me këtë çështje. Avokati Gjokutaj ka theksuar se materialet i kanë kërkuar në mënyrë që t'i dorëzojnë në Kushtetuese për të vendosur ligjshmërinë e masës së sigurisë ndaj Berishës. Po ashtu ai ka theksuar se seancat nuk do të vazhdojnë pa u përjashtuar gjyqtarja Irena Gjoka, që sipas tyre ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën. 

"Ne u paraqitëm sot në seancë, kemi paraqitur një kërkesë dje për përjashtimin e gjyqtaren Irena Gjoka dhe sot kemi bërë kërkesë të na japë materialin audio të seancës së kaluar. Kemi kërkuar që Gjykata të na japë një kopje të akteve. Gjykata pretendon se e ka vendosur dje. Pa u njohur me aktet ka vendosur. Ne kemi kërkuar nga gjykata që ti dërgojmë Kushtetueses për të vendosur për ligjshmërinë e masës së sigurisë për Berishën. Këtë kërkesë e rrëzoi. Në këtë mënyrë ne u larguam. Gjykata po përdor instrumenta dhe justifikime për të mos na njohur me aktet. Kjo gjykatë shkelëse e ligjit, SPAK dhe GJKKO duan të bëjnë çtë duan”, tha ai.

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua mbrëmjen e së shtunës me urdhër të SPAK. Ai akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, në lidhje me privatizimin e ish-klubit Partizani. Në gjykatë po ashtu ka mbërritur edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, për të cilin SPAK ka kërkuar masën detyrim paraqitje. Edhe ndërtuesi akuzohet nga SPAK për korrupsion e pastrim parash. Për të njëjtën dosje, Prokuroria e Posaçme ka vënë nën hetim dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin e akuzon për korrupsion dhe ka kërkuar masën detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit./Dosja.al

genc gjokutaj sali berisha

Sondazh

Poll