Politike

Berisha: Të enjten nisim qëndresën nga parlamenti për të mos e ndalur më!

Berisha ka theksuar se një opozitë që pranon të shtypet, e meriton shtypjen dhe se ata do bëjnë çmos për ta ndaluar këtë gjë.

18 Tetor 2023, 19:02 Nga I.A
Berisha: Të enjten nisim qëndresën nga parlamenti për
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar duke nisur nga kjo e enjte do të nisë qëndresa e opozitës në parlament. Në një takim me strukturat e PD-së në qarkun e Tiranës, Berisha ka theksuar se një opozitë që pranon të shtypet, e meriton shtypjen dhe se ata do bëjnë çmos për ta ndaluar këtë gjë.

"Ua thashë që në fillim, asgjë të re nuk do them. Por problemi është se ne të gjitha këto i kemi përcjellë, sigurisht me dhimbje të madhe, por jo me reagimin e duhur. Ne jemi sjellë, ta themi të vërtetën, si opozitë e topitur.
Edi Rama është në pushtet, i bën të gjitha këto dhe mund të bëjë gjithçka tjetër, vetëm për shkak tonë. Po! Sepse atë ligji nuk e lejon, sepse atë Kushtetuta nuk e lejon, sepse atë normat e qeverisjes të një vendi demokratik nuk e lejojnë kurrë. Kurse ai, duke parë të gjitha këto, ai mori guximin, kaloi nga akti në akt dhe tha se këtyre ua caktoj, do kenë Enkelejdin se atë dua unë përfaqësues. Koha e një qëndrimi të tillë të opozitës merr fund. Duhet t’i japim fund, miqtë e mi. Një opozitë që pranon të shtypet, e meriton shtypjen.

A mund të ishim ngritur më parë? Po, por proceset ishin të tilla, nuk mund t’i injorojmë. Se tani kanë dalë të qarta të gjitha operacionet që ai ka bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë kundër opozitës. Të gjitha kurthet ndërkombëtarë që ka organizuar kundër saj. Të gjitha proceset gjyqësore që ka organizuar kundër saj. Të gjitha dhunimet elektorale që ai ka bërë. Dhe në këtë rast, unë dua t’u informoj ju dhe të gjithë demokratët se qëndresa do të fillojë nga parlamenti. 43 deputetët e PD nisin ditën e enjte, qëndresën e tyre në parlament. Nuk ka më nënshtrime dhe poshtërime nga një horr, nga një kriminel, nga një njeri i cili nuk ka asnjë parim, nga një njeri që është i gatshëm të shesë dhe blejë gjithçka për pushtetin e tij. Ndaj dhe ne do e nisim vetë betejën në parlament për të mos e ndalur më gjer në rivendosjen e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve. Nuk është betejë e lehtë, por është absolutisht e fitueshme," tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll