Sport

Ikona amerikane Megan Rapinoe, i jep lamtumirën kombëtares së femrave...

Kapitenia dhe kampionia e dyfishtë e botës në futbollin e femrave, luajti ndeshjen e fundit për kombëtaren, të dielën kundër Afrikës së Jugut në një miqësore (2-0).

25 Shtator 2023, 09:45 Nga DOSJA
Ikona amerikane Megan Rapinoe, i jep lamtumirën kombëtares së

SHBA - Kampionia olimpike dhe kampionia e dyfishtë e botës në futbollin e femrave, Megan Rapinoe, fitoi ndeshjen e fundit me kombëtaren amerikane (2-0) ndaj Afrikës së Jugut në një miqësore të dielën në Çikago. 

Në moshën 38-vjeçare, Rapinoe nënshkroi edhe një asistim nga këndi, përpara se të largohej me duartrokitje në minutën e 54-t, për t'i dhënë fund një karriere në kombëtare, që zgjati më shumë se 17 vjet (203 ndeshje dhe 63 gola).

Sulmuesja e OL Reign, një figurë botërore në futbollin e femrave, e angazhuar veçanërisht për të drejtat e LGBT+, do ta përfundojë karrierën e saj edhe me klubin në nëntor në fund të sezonit të rregullt të kampionatit të Shteteve të Bashkuara.

Një pioniere e sportit të femrave

Lojtarja e vitit 2019 e FIFA-s u eliminua në gusht me ekipin e saj nga Suedia, në raundin e 16-të të Kupës së Botës, të luajtur në Australi dhe Zelandën e Re. Ajo fitoi turneun olimpik me Shtetet e Bashkuara në lojërat e Londrës në 2012 dhe më pas Kupën e Botës në 2015 dhe 2019. “Jam  mirënjohëse që kam qenë në gjendje të luaj për kaq gjatë me kaq shumë lojtare të jashtëzakonshme dhe kam pasur sukses dhe jashtë fushe”,- tha ajo të dielën.

Një aktiviste feministe, në vijën e parë të luftës për të drejtat e LGBT+ që prej daljes së saj në vitin 2012, Rapinoe kishte denoncuar gjithashtu dhunën e policisë ndaj zezakëve, duke u gjunjëzuar në tokë gjatë himnit amerikan në vitin 2016, kur gjesti nuk ishte bërë ende një simbol global. 

Ajo gjithashtu luftoi me sukses me disa shokë të skuadrës për të vendosur një trajtim të barabartë pagash midis burrave dhe grave brenda Team USA. “Ajo që bëmë jashtë fushës kishte një ndikim shumë më të madh,” sesa sukseset tona në futboll, komentoi ajo para ndeshjes së saj të fundit.

“Mendoj se ne kemi luajtur një rol në nxjerrjen në pah brenda sportit, dhe veçanërisht sportit të grave, çështje si të drejtat e homoseksualëve, drejtësia racore, apo të drejtat trans.”

“Pioniere. Ikona. Frymëzimi”, ka postuar federata amerikane e futbollit në rrjetet sociale pas publikimit të lamtumirës. “Ju e keni bërë këtë sport, këtë vend dhe këtë botë pak më të mirë. FALEMINDERIT”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll

Sport 25 Shtator 2023, 00:11

Morata fluturon mbi Madrid

SPANJE - Gjëja më e mirë që bëri Atlético, apo shumica e lojtarëve të saj, ishte produktive, ndërkohë që...