Aktualitet

“Shpërthim i fuqishëm në fshatin Halilaj”, denoncuesi: Punon vetëm gurorja e një ish-deputeti, shteti të marrë masa

Voga shprehet se ka kontaktuar me Policinë dhe i ka vënë në dijeni për situatën, por megjithatë shprehet se ende nuk ka pasur ndonjë reagim. Thirrja e tij, shkon drejt kryeministrit Edi Rama ku shton se nëse nuk do të ketë asnjë përgjigje ndaj këtij shqetësimi, banorët e fshatit do të mblidhen dhe do të bllokojnë rrugën kryesore.

21 Shtator 2023, 13:40 Nga r.ll
“Shpërthim i fuqishëm në fshatin Halilaj”,
foto nga fshati Halilaj

KRUJË-Një denoncim tjetër është bërë nga banorët e fshatit Halilaj, konkretisht nga ish-kryetari i fshatit, Kadri Voga. Njëherësh dhe ish-drejtues policie, Voga tha se shpërthimet në këtë fshat, ndonëse e cilësuar “zonë e mbrojtur” kanë ndodhur sërish ditën e sotme vetëm 150 metra larg fshatit.

Ai tregon për FaxNews se është vetëm një gurore e cila vazhdon veprimtarinë, konkretisht njofton se ky subjekt i përket Ndriçim Babasit, ish deputetit të PD-së. Sipas Vogës ky aktivitet e ka shkatërruar fshatin, nga i cili thotë se një pjesë e mirë janë larguar.

Voga shprehet se ka kontaktuar me Policinë dhe i ka vënë në dijeni për situatën, por megjithatë shprehet se ende nuk ka pasur ndonjë reagim. Thirrja e tij, shkon drejt kryeministrit Edi Rama ku shton se nëse nuk do të ketë asnjë përgjigje ndaj këtij shqetësimi, banorët e fshatit do të mblidhen dhe do të bllokojnë rrugën kryesore.

“Kërkoj ndërhyrjen sa më parë të qeverisë, të Kryeministrit Edi Rama, ose të ikim si fshat. Një pjesë janë larguar. Pasojat janë të rënda. Ky fshat ka mbaruar. Menjëherë kam telefonuar 129, i jam prezantuar dhe i kam treguar mbi shpërthimin. Unë kërkoj të di kush u dha këtyre autorizim për të bërë shpërthime në këtë zonë të mbrojtur. Kush ia ka dhënë autorizimin? Oficeri m’u përgjigj mirë, por ende nuk ka asnjë reagim. Ndoshta kanë probleme të tjera, nuk e di. Komisariati i Krujës është forcuar dhe nuk ma merr mendja që ka lidhje me këtë. Në rast të shpërthimeve të tjera, do të mblidhemi si fshat dhe do të bllokojmë rrugën kryesore. Për një moment e kishim fjetur mendjen, pasi ndaluan shpërthimet si zonë e mbrojtur që është. A zbatohet ligji apo jo? Unë kam qenë shumë vite drejtues policie. Ka patur dhe atëherë situata të shumta, në pushtet ka qenë PD dhe deputeti ka qenë në fuqi të plotë. Merrte shefa komisariati për të ruajtur shpërthimet.”, ka thënë Voga.

Voga thekson disa herë se problemet e shkaktuara kanë qenë tejet të rënda, deri në humbje jete shprehet ai dhe për këtë arsye do ta ngrejë problemin në SPAK. Në akuzat e tij, përmendet disa herë ish-deputeti, për të cilën shprehet se ka mbështetje nga zyrtarë të shumtë. Aq më tepër, sipas ish-kryetarit të fshatit thuhet se dhe djegia e pishave të zonës është bërë me qëllimin për të hapur më shumë hapësira për aktivitetin e subjektit. Sipas IUCN, “Një zonë e mbrojtur është një hapësirë gjeografike e mirë përcaktuar, e njohur, e dedikuar dhe e menaxhuar përmes mënyrave ligjore ose metodave të tjera efektive, që sigurojnë mbrojtjen afatgjatë të natyrës dhe shërbimeve mjedisore të ekosistemeve që lidhen me të, si dhe vlerave kulturore.”

kadri voga

Sondazh

Poll