Sport

Mbyllet java e 4-t e Superiores! Laçi ruan ritmin, mposht edhe Vllazninë. Skënderbeu bie viktimë e Teutës…

Vllaznia mposhtet 2-1 me përmbysje nga kurbinasit, Teuta regjistron fitoren e parë sezonale. Pas katër javësh renditjen e kryeson Tirana me 10 pikë.

19 Shtator 2023, 18:06 Nga DOSJA

TIRANE - Me dy ndeshjet e sotme në mesditë, mbyllet edhe java e katërt e Superiores. Vllaznia e nisi vrullshëm dhe gjeti golin e avantazhit me Boshnjakun që në minutën e 3-të, por me kalimin e minutave vendasit u ngritën ndjeshëm.

Golin e barazimit për Laçin e shënoi Somowale (45’+6) në shtesën e pjesës së parë dhe pas pushimit, i riu Ledio Tresa shënoi golin e fitores në minutën e 82-të, vetëm pak minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës.

Kjo është fitorja e dytë radhazi për kurbinasit bardhezinj, që nën drejtimin e Skerdi Bejzades, ka nisur të funksionojë në mënyrë bindëse.

Mbyllet java e 4-t e Superiores! Laçi ruan ritmin, mposht edhe

Në “Niko Dovana” të Durrësit pëson humbjen e dytë radhazi edhe Skënderbeu, këtë herë me rezultatin minimal 1-0 ndaj Teutës. Skuadra që drejtohet nga trajneri italian Longo hodhi pas krahëve humbjen e thellë 6-1 në Laç, dhe iu fal golit të riut 16-vjeçar Ergis Arifi, për të marrë 3 pikët ndaj Skënderbeut.

Teuta, ka një ndeshje të prapambetur të javës së pare ndaj Partizanit, të cilën do ta zhvillojë më 4 tetor, në “Arenën e Demave” në Tiranë.

Pas javës së katërt të kampionatit të 85-të të Superiores, renditjen e kryeson Tirana me 10 pikë, e ndjekur nga Laçi dhe Egnatia me nga 7 pikë, Skënderbeu me 6, Vllaznia, Partizani dhe Erzeni me nga 5 dhe Teuta mbyll tableën me 4 pikë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll