Sport

SUPERIORE/ Laçi shënon fitoren rekord të javës, shpartallon 6-1 Teutën në Kurbin!

Laçi fiton thellë në shtëpi ndaj Teutës, ndërkohë që arrin fitoren e parë sezonale në javën e tretë të kampionatit.

15 Shtator 2023, 19:14 Nga DOSJA
SUPERIORE/ Laçi shënon fitoren rekord të javës,

KURBIN - Laçi nuk pati ‘mëshirë’ ndaj Teutës, në mbyllje të javës së 3-të të Abissnet Superiores. Skuadra e Bejzades triumfoi 6-1 ndaj të besuarve të Diego Longos, në një ndeshje të dominuar nga “bardhezinjtë” kurbinas.

Durrsakët rezistuan vetëm nëntë minuta, me Sobowale që kaloi në avantazh Laçin. Vendasit e shfrytëzuan në maksimum momentin e mirë dhe në minutën e 24-të dyfishuan me mesfushorin Ujka.

Teuta bëri pak në pjesën e parë për të ndryshuar panoramën e sfidës, ndërsa kurbinasit i shkuan pranë golit të tretë, madje duke gjetur edhe traversën në minutën e 31-të. 2-0 dhe kështu u mbyll pjesa e parë, ndërsa në 45 minutat e dyta, Laçi tregoi sërish forcën dhe realizoi edhe katër herë të tjera.

Pas dhjetë minutash lojë, William çoi rezultatin në 3-0, ndërsa në minutën e 61-të, vendasit festuan përsëri, këtë herë golin e katërt të realizuar nga Bajramaj. “Poker” i Laçit dhe Teuta u dorëzua pa kushte, pasi “bardhezinjtë” shkundën përsëri rrjetën e durrsakëve, me Ujkën që shënoi golin e pestë për kurbinasit dhe të dytin personal.

Në kohën shtesë, skuadra e Longos shënoi golin e “nderit” me Gjatën që realizoi një gol mjaft të bukur, por në fund shërbeu vetëm në aspektin personal. Teksa ndeshja u vulos nga Myrta në minutën e 90+2′, që shënoi golin e gjashtë për Laçin.

6-1 ishte fitorja e parë e Laçit, një sinjal i fortë nga skuadra kurbinase që shkon kështu në kuotën e 4 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa Teuta pëson humbjen e parë sezonale dhe në dy ndeshjet e luajtura krenohet me vetëm një pikë duke zbritur në vendin e nëntë.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll