Sport

Trajneri Bushi: “Respekt për Rumaninë, por ne duam tre pikë nesër në Elbasan Arena”

Përfaqësuesja shqiptare e U-21 do të luajë nesër takimin e radhës ndaj Rumanisë në stadiumin ‘Elbasan Arena’, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2025” për këtë grupmoshë.

11 Shtator 2023, 21:41 Nga DOSJA
Trajneri Bushi: “Respekt për Rumaninë, por ne duam tre pikë

TIRANE - Pas tre pikëve të fituara në transfertën e Armenisë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi synojnë të marrin një tjetër rezultat pozitiv nesër në Elbasan Arena. Tekniku kuqezi shprehet se fitorja në Armeni ishte e merituar, ndërsa nënvizon se edhe ndaj Rumanisë, kuqezinjtë do të luajnë për të marrë tre pikët.

Gjendja e skuadrës? “Gjendja është e mirë dhe morali i çunave është i lartë. Kemi pasur disa dëmtime, por besoj deri nesër do t’i rikuperojmë”.

Fitorja ndaj Armenisë? “Ishte një fitore e merituar dhe e vështirë. Asnjëherë nuk është e lehtë të fitosh jashtë. I kam falenderuar çunat për shpirtin e sakrificës që ata treguan deri në fund. Nuk ishte loja jonë më e mirë, kishim shumë mungesa dhe grupi bëri vetëm një stërvitje së bashku, për shkak të lojtarëve që munguan nga mos-pajisja në kohë me pasaporta. Kjo ndikoi në manovren sulmuese. Na mungoi edhe Pajaziti që për ne është shumë i rëndësishëm në mesfushë”.

Çfarë presim nesër nga ekipi U-21? “Besimi është arma e fortë qe ne kemi. Nuk kemi frikë asnjë ekip. Ne do bëjmë lojën tonë dhe do luajmë për fitore. E respektojmë emrin e Rumanisë, por nuk e mbivlerësojmë si ekip. E dimë që vështirësia është e lartë me këtë lloj kundërshtari, por objektivi dhe qëllimi që ne kemi nuk do të na pengojë për të marrë 3 pikët! Mendoj që ky grup do të jetë i hapur deri në fund”.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll