Sport

"Nuk do të luash kurrë me mua!" Luis Enrique i jep mesazh të qartë një ylli të PSG-së

Luis Enrique (53) u emërua trajner në Paris Saint-Germain këtë verë, duke zëvendësuar Christophe Galtier.

30 Gusht 2023, 18:24 Nga DOSJA
"Nuk do të luash kurrë me mua!" Luis Enrique i jep mesazh

FRANCE - Një nga yjet që nuk përfshihet në planet e Luis Enrique në PSG është Marco Verratti.  Edhe pse mesfushori italian ka qenë një lojtar kyç për skuadrën në “Parc des Princes” për dekadën e fundit, trajneri spanjol është i pakënaqur me disa aspekte të kampionëve evropianë.

“Le Parisien” pretendon se Luis Enrique i ka dhënë një mesazh të qartë Verrattit: “Nuk do të luash kurrë me mua!”,- dyshohet se i ka thënë spanjoli. Trajneri supozohet se i ka përcjellë lojtarit, se ai ishte i pakënaqur me stilin e jetesës dhe daljet e tij të shpeshta të natës.

Luis Enrique e mbajti fjalën dhe Marco Verratti nuk ishte pjesë e skuadrës së PSG-së për asnjë nga ndeshjet në fillim të këtij sezoni në Ligue 1. Drejtori sportiv Luis Campos gjithashtu do të kishte marrë pjesë në diskutimin mes të dyve dhe PSG vendosi të heqë dorë nga Marco Verratti, i cili tani duket afër një lëvizjeje në Lindjen e Mesme. 

Pasi PSG refuzoi dy oferta nga Arabia Saudite, Verratti tani duket afër një lëvizjeje te skuadra Al Arabi e Katarit. Së fundmi, mediat franceze kanë shkruar se klubet kanë rënë dakord, por pëlqimin duhet ta japë edhe italiani, që i kanë mbetur edhe tre vite kontratë.

Dy ish-lojtarë të tjerë të PSG-së janë aktualisht të regjistruar te Al Arabi: mbrojtësi senegalez Abdou Diallo (27) dhe mesfushori brazilian Rafinha (30).

I blerë nga PSG në vitin 2012, nga Pescara për 12 milionë euro, Verratti u bë një nga mesfushorët më të vlerësuar në Evropë. Italiani bëri 416 ndeshje për parisienët dhe fitoi 30 trofe, përfshirë 9 tituj të Ligue 1.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll